14 Tetor, 2023 - 11:31 am
Më 1 maj 1935 lindi shkrimtari Bilal Xhaferi. Ai lindi në fshatin Ninat afër Konispolit. Në vitin 1967 botoi vëllimi me poezi “Lirishta e kuqe”, por nuk u vu kurrë në qarkullim.
Po atë vit konkurroi me romanin “Krastakraus” në konkursin letrar të mbajtur me rastin e 500 vjetorit të lindjes së Skënderbeut, por nuk fitoi. Ky roman u botua në vitin 1993.
Më 30 gusht 1969 u arratis nga Shqipëria për në Greqi. Në vitin 1970 shkoi në SHBA, në Boston, ku deri më 1972 punoi në gazetën “Dielli”. Më 1974 u vendos në Çikago ku themeloi revistën “Krahu i shqiponjës”, botim i Lidhjes Çame të cilën e drejtoi, botoi dhe redaktoi për 39 numra në dy gjuhë, shqip e anglisht. Vdiq në Çikago më 22 gusht të vitit 1986.
Më 6 maj 1996 shkrimtari Shefki Hysa, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare nisi dhe organizoi ceremonialin e rikthimit në atdhe të eshtrave të poetit, prozatorit dhe publicistit të shquar disident Bilal Xhaferri që tanimë prehet në vendlindje, në Sarandë.
Më 2014 shtëpia e tij në Ninat të Sarandës u bë Shtëpi Muze,dhe më 2 nëntor u inaugurua busti pranë shtëpisë.
Në vitet 1962-1963 botoi poezitë dhe tregimet e para në gazetat “Zëri i Rinisë”, “Drita”, në revistat “Nëntori”, “Ylli”, etj.Më 1963 debutoi me romanin Rrugë dhe fate,ndërsa 1966 botoi një vëllim me tregime Njerëz të rinj, tokë e lashtë, Tiranë 1966, vepër me mendim e me nivel artistik, por ndoshta tepër realiste për kohën.
Në të përkohshmen “Krahu i Shqiponjës” botoi shumë artikuj publicistikë, poezi, tregime, romane, skeçe, vizatime, karikatura, foto artistike, etj. Aty botoi fragmente të romanit “Trotuare të kundërta” dhe “Hëna e kantjereve”. Në vitin 2017 u botua libri i shkruar nga e motra, Antike Hoxha, “As vdekja nuk e shoi dot urrejtjen”, që i kushtohet të vëllait./ KultPlus.com