4 Maj, 2018 - 1:30 pm
Instituti Albanologjik mirëpriti sot prezantimin e dy vëllimeve të para të kompletit të veprës së Mid’hat Frashërit. Vëllime këto të cilat u konsideruan nga të pranishmit si rikthim i Mid’hat Frashërit në Kosovë, troje këto të cilat ai më parë i kishte vizituar dhe kishte lënë edhe shënime për to, shkruan KultPlus.
Alberina Haxhijaj
Gjatë promovimit të këtyre dy vëllimeve u diskutua edhe mbi vizionin e Mid’hat Frashërit, i njohur në vepra edhe si Lumo Skëndo. Vizionet e të cilit janë mjaft aktual edhe sot për zhvillimet politike dhe strategjike në trojet shqiptare.
Drejtori i Instituti Albanologjik, Hysen Matoshi tha se ribotimi i çdo vepre në mënyrë të pacensuruar dhe duke shpërfaqur fakte nga e kaluara janë një vlerë kulturore e shtuar. Gjersa para të pranishmëve sqaroi më shumë përmbajtjen e vëllimit të parë.
“Gati 70-të vite pasi që dha frymën e fundit Mid’hat Frashëri, vjen me idetë e tij, me trashëgiminë shkrimore, por vjen në një format të ri, të plotë e funksional si një dëshmi e rrojtjes së tij shpirtërore dhe si një vlerë e jona kombëtare”, tha ai, gjersa diskutoi për veprimtaritë e shkrimtarit Frashëri dhe për njohjen e tij përtej dimensionit kulturor.
Drejtori i Instituti për Studime të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agron Tufa tha se është e vështirë të flasim për një vepër e cila do të përmbajë disa vëllime, kjo sipas tij pasi që secili vëllim ka mbi 700 faqe.
“Do fokusohem vetëm në një aspekt të trajtimit të kulturës dhe veprave nga Lumo Skëndo si një republikë në termin e tij të veçantë. Shkrimet mbi kulturën dhe artin janë një pjesë e pandashme e shqetësimit të thellë dhe të vazhdueshëm të Mid’hat Frashërit. Shkrime, në të cilat përcillet vizioni largpamës dhe idealist e kulturologjik i tij i gërshetuar me ndjenjën realiste kritike”, tha ai duke shtuar se në sferën e shqetësimeve të Skëndos hyn një gamë e gjerë problemesh të kulturës dhe perspektivës së saj kombëtare dhe eurocentriste siç e quan ai.
Tutje për vëllimin e dytë diskutoi shefi i Degës së Historisë, Memli Krasniqi, i cili tha se kjo është një përmbledhje e shkrimeve të botuara në revistat e njohura shqiptare, në shtypin e huaj, fjalime, raporte diplomatike, vepra si dhe materiale arkivore të pabotuar më parë.
“Lumo Skëndo në shkrimet e tij jo vetëm që është përpjekur për zgjimin e përkatësisë kombëtare shqiptare por edhe ka kundërshtuar me argumente tezat anti-shqiptare të shteteve Ballkanike dhe përkrahësve të tyre”, tha ai, duke shtuar se disa nga idetë të cilat i ka dhënë shkrimtari Mid’hat Frashëri akoma janë të vlefshme dhe ai ka qenë ndër intelektualët e parë i cili qartësisht ka parë humnerën drejt të cilës po shkonte Perandoria Osmane e së bashku më të edhe shqiptarët.
Në anën tjetër duke e cilësuar si pasuri kombëtare, studiuesi Uran Butka thotë që Lumo Skëndo në shkrimet e tij ka qenë kritik ndaj politikave të Evropës dhe mendësisë shqiptare.
“Duke dëgjuar ligjërimet jashtëzakonisht të sakta mua më mbetet pak për të thënë për veprat e Mid’hat Frashërit, por si fillim dua të theksoj se mund ta konsideroj sot kthimin e Mid’hat Frashërit në Kosovë. Kosovës, të cilës ai i ka kushtuar vëmendjen dhe pjesën me të madhe të veprimtarisë së tij studiues, shkencore dhe politike. Mund ta konsideroj kthimin e tij në Prishtinë pas kaq vjetësh mohimi, e të tjera. Ajo që me emocionon është se ai kthehet sot në Institutin Albanologjik jo vetëm si një publicistë i çmuar historian, studiues, kulturolog, sociolog, e gjitha ato, por edhe si një albanolog si pjesë e Institutit Albanologjik”, tha ai.
Veprat e zgjedhura të Mid’hat Frashërit do të vijnë në një kolonë prej 13 vëllimesh, ku studiuesit dhe lexuesit shqiptarë do të njihen me vizionin e Lumo Skëndos për shqiptarët dhe politikat e saj. Ndërsa vëllimi i 14-të do të jetë bibliografia e Mid’hat Frashërit. Për këtë libër por edhe për librin “Sekretet e Luftës” nga Erald Kapri, libër i cili zbulon një Shqipëri tjetër përmes dokumenteve britanike, do të diskutohet edhe në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, sot në ora 13:00/KultPlus.com