23 Prill, 2023 - 9:32 am
William Shakespeare ishte një dramaturg anglez që lindi më 23 prill 1564 në Stratford mbi Avon dhe vdiq më 23 prill 1616 në po të njëjtin qytet.
Uilliam Shekspir e ngriti artin poetik në majat më të larta. Kur flitet për të shumë pak autor i qëndrojnë përkrah dhe asnjë përsipër. Studimet, analizat dhe komentet rreth tij janë të panumërta, por përfundimi është i njejtë: vepra shekspirane është e admirueshme si tërësi dhe në të tërë përbërësit e veçantë. Vepra e tij së bashku me Biblën dhe Deklaratën e të Drejtave të Njeriut janë shtyllat në të cilat ngritet identiteti i Evropës historike.
Shekspiri konsiderohet si shkrimtari më i shkëlqyer i gjuhës angleze, në mënyrë absolute, një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Njeri ndër shkrimtarët me te famshëm ne botë. Ai ka qenë komediograf, dramaturg por edhe aktor. Ai jo vetëm që shkroi disa tragjedi të jashtëzakonshme të cilat hynë në historinë e letërsisë botërore, por edhe shumë komedi dëfryese që nuk u shfaqen kurrë nëpër skenat angleze.
Ishte i biri i një tregtari jo fort të pasur dhe lindi në familje me shumë fëmijë në Stratford-mbi-Ejvën, me 23 prill 1564. Uiliami ishte fëmija i tretë i John dhe Mary Shakespeare. Dihet se studioi në shkollën e vendlindjës, ku u njoh me mjeshtrat greqishtfolës dhe latinë, por nuk dihet se deri në cilin vit e vazhdoi shkollimin aty. Pengesë për vazhdimin e studimeve padyshim ishte martesa në moshë të re kur ishte vetëm 18 vjeç me Ana Hethuejn, që ishte disa vite më e madhe se ai. Me të shoqen kishte 3 fëmijë: një djalë me emrin Hamnet i cili vdiq në moshën 11 vjeçare duke i lënë prindërit shumë të pikëlluar dhe dy vajza Suzana dhe Judita.
Gjatë krijimtarisë së tij, Shekspiri realizoi 37 vepra për teatrin, nga të cilat 13 tragjedi, 10 drama historike dhe 14 komedi. Pjesa tjetër e krijimtarisë përfshinë 154 sonete që mbahen si realizimi poetik më i çmueshëm i gjithë kësaj periudhe dhe 2 poema të gjata.
Prodhimi dramatik i Shekspirit njeh katër periudha kryesore:
Aftësia e tij qëndronte në të hedhurit e rrëfimit përtej, për të përshkruar kështu pamjet e brendshme dhe të thella të natyrës njerëzore. Mendohet se pjesën më të madhe të veprave të tij t’i ketë shkruar midis viteve 1585-1611, edhe pse kronologja e veprave që i atribuohen atij nuk njihen me saktësi, duke shkaktuar kështu mangësi në lidhje me hartimin e një biografie të thellë dhe të plotë për këtë figurë madhështore të letërsisë.
Veprimtaria dramatike e Shekspirit u zhvillua në kuadër të teatrit elizabetian dhe ka si kuadër historik mbretërimin e Elizabetës I (1558 – 1603). Kjo epokë njihet dhe si epoka e artë e teatrit anglez. Përkrah teatrit klasik, ky teatër përbën dukurinë më të rëndësishme e më të mrekullueshme për teatrin botëror në përgjithësi. Në këtë periudhë lëvrohen të gjitha llojet e dramatikës me të njejtin sukses madje pasurohen me elemente të reja. Por kulmin e arrin tragjedia, e cila i paraqet heronjët para konfliktesh e dilemash të skajshme, prej të cilave dilet me vullnet e forcë shpirtërore të paepur ose dalja nuk ekziston fare./KultPlus.com