13 Mars, 2023 - 10:20 am
13 marsi shënon ditën kur Fan Noli dha frymën e fundit në vitin 1965.
Burrë shteti, atdhetar demokrat, klerik i lartë, poet, përkthyes, publicist, dijetar, historian e muzikolog. Fan Noli është një nga figurat më të ndritura të kombit tonë.
Fan Noli lindi në Ibrik Tepe në Edrene (Turqi), ku përfundoi dhe shkollën e mesme. Më 1903 shkoi në Egjipt, ku punoi si mësues e gjatë kësaj kohe u njoh me patriotë të shquar të kolonisë shqiptare të Egjiptit. Në këtë kohë përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç`ka qenë, ç`është e ç’do të bëhet”. Më 1907, pas vajtjes së tij në Amerikë, krijoi shoqërinë “Besa-besë” në Boston.
Më 9 shkurt 1908, Fan Noli u dorëzua dhjak dhe në mars 1908, kryeprifti ortodoks i Nju Jorkut e shuguroi prift ortodoks. Disa ditë më pas, Noli mbajti liturgji në gjuhën shqipe për herë të parë në Boston. Në korrik 1919, Noli u zgjodh Peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Përpjekjet e Nolit për një kishë kombëtare shqiptare, u përmbushën më 1937, kur Patriarkana e Stambollit njohu zyrtarisht Kishën Ortodokse Shqiptare Autoqefale.
Nga viti 1909 deri më 1911 botoi gazetën “Dielli” dhe së bashkë me Faik Konicën themeloi më 1912 Federatën Panshqiptare Vatra të Amerikës. Në vitin 1912 përfundoi studimet e larta në fakultetin e filozofisë në Universitetin e Harvardit dhe vite më vonë, më 1938 mbaroi studimet e larta në Konservatorin e Muzikës së Bostonit. Në vitin 1920 Noli u zgjodh kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku nëpërmjet antarsimit të Shqipërisë në këtë lidhje, Shqipëria mori një njohje ndërkombëtare.
Në 1921 ai botoi veprën e rëndësishme “Historia e Skënderbeut”. Në qershor 1924, Fan Noli u bë kryeministër. Përveç veprimtarisë shumë të rëndësishme politike, poetike e publicistike, gjatë këtij dhjetëvjeçari Noli përktheu tragjeditë e Shekspirit, Rubairat Omar Khajamit, romanin Don Kishoti të Servantesit etj. Fan Noli u shua më 13 mars 1965 në Ford Laurderdale, Florida të SHBA. / KultPlus.com