10 Nëntor, 2024 - 11:30 am
Shkruan: Jusuf Buxhovi
Në paraditën e dhjetë nëntorit të vitit 1964, në Parkut e Qytetit në Gjakovës, para nxënësve të shkollave të mesme të qytetit dhe qytetarëve të shumtë, një grup i shkrimtarëve të rinj nga klubi i sapoformuar letrar “Gjon Nikollë Kazazi”,nën drejtimin e poetit të njohur Din Mehmeti dhe në praninë e poetit Enver Gjerqeku, hapën Mitingun e parë të Poezisë.
Ishte ky fillimi i një manifestimi letrar i komunikimit me dashamirët e letërsisë në një formë të hapur. Si i tillë, me kyçjen në bashkëorganizim të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe të Bashkësisë së Kulturës, mori mbikëqyrjen institucionale-shtetërore.
Kjo u pasqyrua kur mitingu kaloi nën patronatin e Fadil Hoxhës, asokohe anëtar i Kryesisë së RSFJ-së dhe të KQ të LKJ-së, i pranishëm në mbrëmjet qendrore të mitingut me kreun më të lartë politik dhe kulturor të Kosovës. Tretmani i tillë i Mitingut, bëri që pas tri vitesh të kthehet në një manifestim që tubonte poetë dhe shkrimtarë të njohur nga të gjitha viset e ish Jugosllavisë. Pak më vonë, me pjesëmarrjen e shkrimtarëve të njohur botëror, edhe fitues të çmimit Nobel, Mitingu mori edhe karakter ndërkombëtar. Me kalimin e kohës, krahas aktiviteve në hapësirat e pallatit të kulturës “Asim Vokshi”, ato u shtrinë edhe me orët letrare nëpër shkollat fillore të qytetit dhe përreth si dhe me orën letare në Junik.
Festa e poezisë, siç quhej Mitingu i Gjakovës, vazhdoi edhe pas rrënimit të autonomisë së Kosovës në mars të vitit 1989, kur Serbia filloi të qëllojë të gjitha shtyllat e identietit tonë institucional dhe kulturor.
Edhe asokohe, Mitingu i Poezisë ruajti karakterin e tij kulturor. Kësaj i ndihmoi fakti se dr. Ibrahim Rugova ishte Kryertar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe njëherësh president i Kosovës. Kështu, nën përkujdesjen e vazhdueshme të dr. Rugovës manifestim u mbajt edhe në rrethanat e pushtimit dhe të represionit më të egër serb. Madje, nga viti 1991, Mitingu i Poezisë në Gjakovë, fiton edhe karakrerin kombëtar, meqë për herë të parë morën pjesë shkrimtarë nga Shqipëria (Besnik Mustafaj dhe Xhevahir Spahiu), rrugë kjo që do të vazhdojë me përfshirjen në rrezën e Mitingut edhe të Tropojës dhe pjesëve të tjera të Malësisë së Gjakovës.
Mitingu vazhdoi edhe pas çlirimit të Kosovës, por më kohë u vërejt një tërheqje e institucioneve qendrore nga organizimi dhe financimi i veprimtarisë së manifestimit. Kjo ndikoi, që Mitingu, viteve të fundit të zbehet deri në atë masë, saqë edhe mbajtja e mitingut jubilar, të gjashtëdhjetit me radhë, të gjendet buzë dështimit. Por, kjo nuk ndodhi, në saje të angazhimit të vendosur të Kryetarit të Komunsë së Gjakovës, Adrian Gjinit, i cili bëri që jubileu të shënohet me dinjitet, në mënyrë që të vazhdohet tradita e një manifestimi kulturor-identitar të vetmit në hapësirën shqiptare./ KultPlus.com