20 Gusht, 2017 - 10:53 am
Shkruan: Ada Halilaj
Asht Shkodër.
Ora 7 pa 10.
-Takohna te Bar Flo-më shkrun-Te truma e Dugajve të Reja,sa hyn në pedonale,majtas-më shpjegon kur i kërkoj me ma rifresku pak memorien e lokaleve në qytet.
Pres disa minuta.Humbas majtas e djathtas me sy e pendohem që s’kam marrë me vedi gjyslykt e miopisë.Sa turbullt shoh!Ma në fund vjen nga e djathta jeme.Me flokët deri në klavikul,me mollëzat e guximshme,me fustanin e paqtë.Duket sikur ka dalë nga krahnori i një stine bardh e zi.
Flasim pa pauza të ndërmjetshme.Unë xhestikuloj shumë.Ajo pin cigare mbas cigareje.Artikulon saktë,ftoftë,me vetëdije metalike.Nuk ma ndërpret fjalen asnjëgerë.Ka një durim të përsosun dialogu.Qesh rrallë,por nuk asht e trishtume.Asht e zemërume,ndoshta pak shtegtare!Ka luftë,zjerm e stuhi në çdo inç të sajin.Nuk përmbahet po as nuk zgidhet.I vjen era liri edhe pse çdo natë struket të i njejti kafaz,prej të cilit i asht mbledh nyje një dëshirë e shfrenume ikjeje.Një prerje Cezariane perfekte rrin midis saj dhe turmes.E prapë mbi atë tokë i lëshon kambët si dy kuaj të etun për vrap.E unë mendoj:Vajza si kjo do ta pshtojnë këtë vend.Pse?Sepse thotë të vërtetën pa iu dridh as zàni e as qërpiku,mbron të vërtetën pavarësisht se prej cilës gojë del.
Mendoj,ndërkohë që ajo porosit një lang frutash, që arti,poezia,e bukura nuk e pshtojnë botën.Ato e rindërtojnë nga thërrimja ma e imtë por kjo botë ka nevojë të dëshpërume për të vërtetën,sidomos atë që dhemb me çdo dhimbje që gjen përpara.Prandaj na duhet vajza si Brigela Demaj.
Prandaj asaj dhe plot vajzave dhe grave si Rreze Abdullahu,Oli Pero,Gresa Hasa,Elona Culiq,Adela Radovani,Sibel Halimi,Entela Tabaku Sorman,Eli Krasniqi,Arjola Zadrima,Valbona Quku Lishi,Vlora Kanushevci,Silvi Bakiri,Mirela Kapaj,Nina Cara,Egla Harxhi e shumë të tjera plot pasion,ironi,talent,shpirt e vizion, u jam mirënjohëse dhe u them falemnders,falemnders që s’pushoni udhëtimin shpresëdhanës të mendimit të lirë në një Shqipni e Kosovë të mbledhun grusht.
Këto gra janë gratë e zemërume,gratë me zà,me tamth,me qëllime dhe ideale,gratë e egra,gratë e protestave,rezistencës dhe anti-konformizmit,gratë që s’e kanë ndërmend me vdekë nën diktaturen e burrave apo nën hijen e modelit të gruas tradicionale shqiptare,i cili vazhdon ende me përfaqësu modelin e parë reference për vajzat e reja.Gruaja sot,edhe pse punon dhe kontribuon financiarisht në familje,ka makinë personale dhe del darkave me kolektivin e punës,vazhdon të mbahet fort për jaken e burrit,vazhdon ende ti mësojë vajzes si bahet byreku dhe djalit si luhet me shpatë,vazhdon me mbyll një sy kur e vret ajo që sheh dhe me ba nje vesh shurdh kur e indinjon ajo që ndigjon,vazhdon me çu përpara një mendësi të ç’armatosun nga dinjiteti dhe një trup që ka frikë t’i ngjitet malit.
Nuk na mungojnë gratë e forta në këtë vend,por gratë që ndihen krenare për forcën që kanë dhe nuk kanë turp të rrëfehen si të tilla.
Nuk na mungojnë gratë shembullore,po gratë që i ngjajnë andrrave që kanë dhe jo shembujve të trashëgum.
Nuk na mungojnë gratë e shkathta,por gratë që shkathtësinë individuale nuk ngurrojnë ta derdhin në kauza universale.
Nuk na mungojnë gratë inteligjente,por gratë që nuk ndihen superiore,të privilegjume apo ma të bukura se të tjerat.Na mungojnë gratë që nuk i vejnë kambën grave.
Nuk na mungojnë gratë e suksesshme por gratë që ndihmojnë në suksesin e të tjerave.
Nuk na mungojnë gratë luftarake,por gratë që mbasi kanë luftu trimnisht për lirinë e vedit,përkrahin edhe betejat e shoqeve.
Na mungojnë gra që flasin sidomos kur komandohen me besu që heshtja asht gjithmonë mike e mendjeve të urta.
Gra që reagojnë,sidomos kur urdhnohen me u mënjanu e me pa punën e tyne.
Gra që kur shohin gratë e tjera duke shku drejt humnerave,bashkohen me i ndërtu një urë.
Gra që nuk paragjykojnë gratë e tjera por ua ndigjojnë historitë deri në fund.
Na mungojnë gra që mbasi provojnë mëshirë,keqardhje dhe dhimbje,shpërvjelin mangët dhe në të voglën e tyne, pagzojnë ndryshime themelore.
Këto janë gratë që du.
Këto janë gratë që do ta pshtojnë të ardhmen..
Gra që nuk i xen vendi vend,që nuk rrinë gjatë me duart kryq në gjoks e që nuk ulen me fjetë pa i ba vedit dy pyetje e dy premtime.
Gra që dojnë fort gratë e tjera,duke e ditë se sa thika na ngulen në shpindë sapo shohim pak drejtë,duke e njoft mirë tokën e minume në të cilën shkelim përditë,duke dëshmu se shumica na e dojnë trupin,flokët,sytë,buzët e barkun por jo shpirtin.Shpirtin na e dhunojnë,na e ndryjnë,na e fshehin nën shtatë lëkura.
Gra që dhimbjet nuk i vejnë në gjumë por ua kërkojnë ilaçin.
Gra që s’më ngjajnë aspak,s’më dojnë aspak,s’më vlerësojnë aspak por që nuk tentojnë asnjëherë me m’i vra andrrat e me ma djeg lirinë.
I du gratë që besojnë në Zot po aq sa ato që n’Zot s’betohen kurrë…i du gratë që punojnë tokën e ata që punojnë në kulla vrojtimi,i du gratë-nana po aq sa gratë-gra,du gratë racionale dhe irracionale,gratë e vetmive dhe gratë që vetminë e trembin me gurë.I du gratë që zgjedhin vetë por nuk bajnë moral mbi zgjedhjet e të tjerave.
I du gratë që edhe kur nuk arrijnë me vu vetë dorë mbi ballin e jetës,e pranojnë përçmimin për shtypjen dhe nënshtrimin e nuk tregojnë përralla mbretnore tek të cilat nuk besojnë as fëmitë.
I du gratë që bajnë sa munden,por të paktën bajnë diçka.
I du gratë që shkaktojnë vorbull sociale (patriarkale),që bajnë zhurmë dhe që nuk i ngjajnë pritshmërive ekstreme:të shenjtes dhe përfeksionit.
I du gratë e vërteta,gratë e sinqerta,në të mirë e në të keq.gratë që flasin troç,të shohin në dritë të syve dhe nuk kanë frikë as nga kush je ti,as nga sa lekë ke në xhep,as nga sa njerëz të njohin atje jashtë.
I du pafundsisht këto gra,duke fillu nga gruaja që po shkrun,nga vedi.
Ada Halilaj : https://woman-being.com/2017/08/19/per-grate-qe-do-ta-pshtojne-kete-vend/