17 Janar, 2022 - 6:01 pm
Ndoc Nikaj, lindi në qytetin e Shkodrës më 15 qershor 1865. Mësimet fillore i bëri në Arqipeshkvinë e Shkodrës dhe në Seminarin Papnor, të udhëhequr nga etërit jezuit. Studimet e larta i kreu në Romë, duke u shuguruar për meshtar në vitin 1888.
Botimet e tij të para datojnë në kohën kur ishte student në Romë. Në vitin 1888 do të shkruante romanin me titullin “Marcja”. Ky roman njihet gjithashtu si romani i parë i shkruar në shqip.
Në vitin 1897, Faik Konica do të fillonte të botonte në Bruksel, gazetën e përkohshme “Albania”. Që në fillesë, dom Ndoc Nikaj bashkëpunon pothuaj rregullisht me artikuj me përmbajtje politike, shoqërore dhe atdhetare. Në revistën Albania ai do të shkruante me pseudonimin “Nakdomonici”.
Krijimtaria letrare e këtij shkrimtari përfshin më shumë se 30 vepra me përmbajtje të ndryshme. Vepra më e rëndësishme e tij është “Historia e Shqypnis”, botuar në Bruksel më 1902. Disa nga veprat e tij do të ishin: “Marcja e Turkis” (1902), “Historija e Turkis” (1902), fletorja “Koha”, “Bashkimi”, “Besa Shqiptare”, “Bleta e re” (1912), “Shkodra e rrethueme” (Pjesa I, 1913, Pjesa II, 1913), “Libri i Blertë i Italis” (1915), “Kndime të Para” (1915), “Përmbledhje e historis së Shqypnis për shkolla” (1917), “Bukurusha” – roman historik (1918), “Ulqini i marrun” – roman historik (1918), “Kalendari”, “Shqyptari” 1914, etj. Në vitin 1910 hapi shtypshkronjën e parë publike në Shkodër.
Shtypshkronja quhej “Nikaj”, dhe në të botoheshin gazeta, vepra letrare dhe tekste shkollore. Gjithashtu, puna e parë e kësaj shtypshkronje, ishte shtypshkrimi i fletores së Ndoc Nikajt, fletores së parë politike të botuar në shqip me 1910-tën me emrin “Koha”. Ky periodik, do të vijojnte të botohej edhe 11 vite më vonë, deri më 1921.
Në 9 shtator të vitit 1946, u arrestua me akuzen si pjesëmarrës ne kryengritjen e Postribës dhe dënohet me 5 vjet burg. Për shkak të moshës së thyer vuan dy vjet e gjysmë të dënimit. Vdes në moshën 86 vjeçare në vitin 1951, në Shkodër dhe varroset në varrezat e Rrmajt. / KultPlus.com