19 Mars, 2024 - 9:30 am
Si Sot, më 19 mars të vitit 1949, iu shua fryma në qelinë e burgut të Durrësit, kryeipeshkvit të këtij qyteti, imzot Vinçenc Prennushit.
Kushtimi ndaj besimit do t’i kushtonte lirinë dhe jetën. E thënë metaforikisht, Prennushi qe i prirë drejt jetës rregulltare qyshse foshnje, kur mori bekimin e pagëzorit.
U lind në Shkodër më 4 shtator 1885. Në moshën 5-vjeçare, në vitin 1900, hyri në kuvendin françeskan të vendlindjes. U shugurua meshtar në Tirol, ku kryente edhe studimet.
Do të merrej edhe me veprimtari përtej sferës kishtare. Në vjetët 1909-910 rroku penën dhe nisi të publikonte. Më 1911-n, botoi “Kangë popullore gegnisht”. Më pas, do të zhdërvjelltësonte shkrimtarinë e tij me dramat “E trathuemja”, “Prej robnie në liri”, si edhe me studimin “Nder lamije të demokracisë së vërtetë” (1922). Ndërsa, në vitin 1924, pasuroi krijmtarinë e tij me veprën poetike “Gjeth e Lule”.
Në sajë të zotërimit të disa gjuhëve të huaja, Imzot Prennushi do të merrej edhe me përkthimin e disa prej veprave më të lakuara të kohës, sikurse ishin: “Quo Vadis” e novelistit polak Henryk Sienkieëiz, “Burgjet e mia” e autorit italiani Silvio Pellico dhe poema “Dreizehnlinden” e gjermanit Friedrich Wilhelm Weber.
Në vitin 1947, në valën e përndjekjes së klerit, u arrestua në Tiranë e më pas u zhvendos drejt burgut të Durrësit. Qindra klerikë nga të gjitha besimet u ekzekutuan, dënuan dhe internuan, pas instalimit të regjimit komunist, i cili ndër të tjera synonte “të krijonte të ashtuquajturën parajsë tokësore në kundërshtim me besimet fetare”. / KultPlus.com