26 Gusht, 2022 - 7:44 pm
Më 26 gusht 1938, vdiq poeti Millosh Gjergj Nikolla, i njohur me emrin letrar Migjeni. Migjeni konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit XX, një zë krejtësisht novator nga brendia dhe forma, ndikimi i të cilit mbi letërsinë shqipe të kohës ishte i madh.
Krijime të tij, si: “Poema e Mjerimit”, “Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Bukuria që vret”, “Mollë e ndalueme”, “Legjenda e misrit”, “A don qymyr zotni?”, flasin për varfërinë e viteve kur jetoi, dënojnë ashpër indiferentizmin ndaj vuajtjeve të popullit. U bë i njohur gjerësisht pas Luftës së Dytë Botërore, pas botimit të plotë të veprave të tij.
Në themel të veprimtarisë së Migjenit qëndron aspirata për një botë të re, ku njerëzit e thjeshtë të jetojnë të lirë, të lumtur e me dinjitet njerëzor dhe pa frikë për të nesërmen. Poezitë e para, si: “Zgjimi”, “Të birt’ e shekullit të ri”, “Shkëndija”, “Shpirtënit shtegtarë” etj., tregojnë për humanizimin e tij, dhe dëshirën për një botë më të mirë.
Migjeni pati ndikim të ndjeshëm në rrethet e rinisë përparimtare të kohës dhe veprat e tij ndihmuan në formimin shpirtëror të saj.
Veprat e plota të Migjenit janë botuar tri herë: 1954, 1957, 1961, si dhe një varg botimesh të ndryshme. Shkrimet poetike dhe në prozë të Migjenit janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Për jetën dhe shkrimet e tija janë botuar studime e artikuj të shumtë.
Shtëpia ku lindi Migjeni ishte Muzeu i Migjenit nga viti 1961 deri në vitin 1993.
Eshtrat e Migjenit u sollën në atdhe nga Italia në vitin 1956. Iu dha titulli “Mësues i Popullit” post-mortem në vitin 1957. /KultPlus.com