22 Shkurt, 2021 - 1:32 pm
88 vjet më parë ndërroi jetë në Tiranë Hilë Mosi (1885-1933), një ndër personalitetet e letrave e kulturës shqipe, gazetar, shkrimtar, përkthyes, anëtar i Komisisë Letrare të Shkodrës, deputet, prefekt, Drejtor i Përgjithshëm i Sigurimit Botor, Ministër Arsimi.
Pas diplomimit në Austri ai u kthye në atdhe ku mbajti një aktivitet intensiv kulturor dhe patriotik. Ai ishte delegat në Kongresin e Manastirit në vitin 1908, delegat në Kongresin e Lushnjës, përfaqësues i vendit tonë në Lidhjen e Kombeve në vitin 1920, Anëtar i Parlamentit Shqiptar gjatë viteve 1920-1924 dhe një nga drejtorët e parë të Bibliotekës Kombëtare. Nisi të shkruante që në moshë fare të re, bashkëveproi rregullisht me “Albania”-n e Konicës me pseudonimet Zog Sakoli, Sakoli, Zog Dushmani, Lirijasi, Speci etj. Bashkëpunime pati gjithashtu edhe me të përkohshmet e kohës, si: “Drita” e Sofjes, “Kombi” i Bostonit, “Albania” e Beogradit, “L’Albania” e Dervish Himës, “Shpnesa e Shqypnís” e Raguzës, “Diturija” e Lumo Skëndos, “Lirija e Selanikut”, “Vllaznija” e Vjenës, “Lidhja Ortodokse” e Korçës, “Shqiptari” i Stambollit, i së cilës qe kryeredaktor, “Agimi” i Shkodrës etj.
Në vitin 1913 themeloi dhe drejtoi bashkë me Karl Sumën dhe Risto Siliqin, fletoren e përdyjavshme “Shqypnija e Ré”, e cila e vijoi botimin derisa filloi lufta botërore. Po në këtë vit botoi në Trieste një grumbull poezish me emrin “Zâni i Atdheut”, vjersha atdhetare të përpiluara, më të shumtën, mbas frymës popullore, ku qëndron si faktor i parë malli për atdhe. Vepërza “Lotët e Dashunís”, e botuar në vitin 1916 përfshinë një tubë lirikash me lëndë të ndryshme dhe me masa vargu gjithfarësh; një pjesë e këtyre janë origjinale, të tjerat janë përkthime të lira autorësh gjermanë i Goethe, Schiller, Heine, Koerner, Lessing etj.
Këtij vëllimi i bëni një botim të dytë me titullin “Lule Prendvere” duke i shtuar vjersha dhe balada të reja dhe duke përmirësuar të parat. Një mëritë të veçantë në historinë e letërsisë shqiptare e ka për poezinë prij 138 vargjesh me titullin “Natyra”(Albania, Viti X, nr. 10-11-12, 1960, faqe 188-191 në të cilën takohet prova e parë e përshtatjes së heksametrit në shqipen. / Gazeta Shqiptare / KultPlus.com