13 Tetor, 2021 - 11:17 am
Dritëro Agolli lindi më 13 tetor 1931, ishte poet, prozator, publicist dhe politikan shqiptar. Kritik ndaj frymës tradicionaliste dhe patriotizmit retorik, Dritëro Agolli solli në poezi ndjeshmëri e figuracion të ri, duke e përtërirë sistemin e vjershërimit shqip, përcjell KultPlus.
Mësimet e para i kreu në vendlindje, vazhdoi gjimnazin e Gjirokastrës , një shkollë me mjaft traditë. Ai vazhdoi studimet e tij në Fakultetin e Arteve në Shën Petersburg. Ka punuar shumë kohë si gazetar në gazetën e përditshme “Zëri i popullit” dhe për shumë vjet ka qenë kryetar i ‘Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë’.
Krijimtaria e tij letrare është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash. Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në perëndim e në lindje. Dritëro Agolli hyri që në fillim në letërsinë shqiptare (vitet ’60) si një protagonist i saj, duke i ndryshuar përmasën e së ardhmes. Në veprën e tij, Agolli e vendosi veten si protagonist bujku dhe bariu, fshatari dhe studenti, malësori dhe fusharaku. Agolli u bë poeti i tokës dhe i dashurisë, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore.
Si shkrimtar i madh i një ‘gjuhe të vogël’, ai është po aq i dashur prej lexuesve bashkëkombës, sa dhe në metropolet e kulturës botërore. Agolli krijoi një model të ri vjershërimi në problematikë dhe në mjeshtërinë letrare, ai gërshetoi natyrshëm vlerat tradicionale të poezisë me mënyra të reja të shprehjes poetike. Thjeshtësia e komunikimit, mesazhet universale dhe shprehja e hapur e ndjeshmërisë janë shtyllat e forta ku mbështetet poezia e tij. Në prozën e tij, Agolli solli risi vetëm në strukturën narrative, por dhe në galerinë e personazheve të veta. Ata janë sa të çuditshëm aq dhe të zakonshëm, sa tragjikë aq edhe komikë, sa të thjeshtë aq edhe madhështorë.
Vepra e tij poetike më e njohur është “Nënë Shqipëri”, ku krijohet figura e atdheut me traditat heroike, me vështirësitë e shumta me të cilat u përballen. Me vëllimet poetike “Pelegrini i vonuar”, “Lypësi i kohës”, “Fletorkat e mesnatës” autori shpall sfidën e tij të re të mjeshtërisë. Ne këto vëllime shpërfaqet poeti me ideal të tronditur, që duhet të gjejë vlerën dhe kuptimin e jetës së vet dhe të brezit që përfaqëson në kushtet e tronditjeve të mëdha të shoqërisë dhe të ndryshimeve rrënjësore të rrugës drejt së ardhmes së saj. Në prozë, bëri emër sidomos romani ‘Komisari Memo’, në të cilin pasqyrohet roli i madh edukues dhe drejtues në vitet e Luftës Nacional – Çlirimtare.
Në vitin 2011 Dritëro Agolli, është nderuar me titullin doktor Honoris Causa nga Universiteti Evropian i Tiranës. Në një ceremoni të veçantë, iu dha ky titull shkrimtarit të shquar “Për kontributin e madh dhe të rëndësishëm në krijimtarinë e tij letrare për më shumë se 60 vjet, si poet, prozatore, dramaturg përkthyes e eseist”. / KultPlus.com