21 Korrik, 2019 - 3:00 pm
Martin Camaj, u lind më 21 korrik 1925 në një zonë malore, në Temal të Shllakut. Ky mjedis i egër malor do të lërë mbresa dhe do të ndikojë te shkrimtari dhe gjuhëtari i ardhshëm. Që në fëmijëri u dallua për një zgjuarsi të veçantë, gjë që u ra në sy prindërve të Camajt. Kështu atyre u lindi dëshira që Martini të mos ndiqte rrugën e disa bashkëmoshatarëve për t‘u bërë çoban në ato zona, por të arsimohej më tej. La Temalin e largët dhe erdhi në Shkodër për të ndjekur mësimet në kolegjin Saverian, një kolegj me emër në të cilin kishin studiuar patriotë, shkrimtarë, gjuhëtarë dhe mësues të afirmuar në profesionin e tyre. Pasi mbaroi studimet në këtë kolegj, filloi të ushtrojë detyrën e mësuesit në fshatin Prekal të zonës ku lindi, 25 km larg Shkodrës. Bindjet e tij nuk pajtoheshin me regjimin e kohës, prandaj në vitin 1948, në moshën 23-vjeçare arratiset për në Jugosllavi. Pas disa peripecish, ai filloi studimet e larta në Universitetin e Beogradit, në degën Gjuhë-Letërsi Sllave dhe latine, pranë profesorit të dëgjuar kroat, Henrik Bariç. Menjëherë prirjet e tij letrare i konkretizoi me botimin e dy vëllimeve poetike “Nji fyell ndër male” (Prishtinë, 1953) dhe “Kanga e vërrinit” (Prishtinë, 1954). Nuk i dimë rrethanat se si u krijuan, por Martin Camaj, 8 vjet pasi ishte arratisur dhe pasi kishte mbaruar Universitetin e Beogradit, në vitin 1956, posa i kishte mbushur 31 vjetët, shkoi për studime pasuniversitare në Romë, duke lënë përfundimisht Beogradin dhe duke u bashkuar me shokët e një ideali E. Koliqin, K. Gurakuqin, M. Krujën etj. Në Universitetin e Romës u specializua për gjuhësi, duke konsoliduar gjithnjë e më shumë formimin e tij filologjik. Ai zgjodhi si temë disertacioni veprën e parë të gjuhës shqipe “Mesharin” e Gjon Buzukut, një studim mjaft interesant dhe i rëndësishëm për kohën kur u shkrua. Fillimisht Martin Camaj do të jetë lektor në Universitetin e Romës pranë katedrës së gjuhës dhe të letërsisë shqipe që drejtohej nga shkrimtari E. Koliqi, por njëkohësisht që për disa vjet qe edhe kryeredaktor i revistës prestigjioze “Shêjzat”(Le Pleiadi) (1957-1978) që dilte në Romë.
Por jeta e këtij intelektuali ishte në lëvizje. Pas një qëndrimi prej afro 10 vjetësh në Romë, do të lerë kryeqytetin italian dhe do të vendoset në Mynih të Gjermanisë, ku do të merret kryesisht me studime gjuhësore. Në Universitetin e atij qyteti do të mbrojë me sukses një temë nga fusha e formimit të fjalëve të shqipes, të titulluar “Fjalëformimi i shqipes. Mënyrat e formimit të emrave të vjetër.” Në Mynih jo vetëm do të mbajë leksione për studimet albanologjike, por pas disa vjetësh do të themelojë katedrën e gjuhës shqipe në atë universitet që do ta drejtojë gjatë 20 vjetëve, prej vitit 1971-1990, vit në të cilin doli në pension.
Veprimtaria Gjuhësore
Dyzet vjet më parë Martin Camaj botoi në gjermanisht “Libri i mësimit të gjuhës shqipe”(Lehrbuch der albanischen Sprache, Otto Wiesbaden, 1969, 136 f.) (ribotuar, më 1991 dhe1997). Ky botim do t‘u shërbente të huajve për të mësuar gjuhën shqipe, krahas edhe të librave të tjerë të botuar në atë kohë me të njëjtin qëllim. 15 vjet nga botimi i parë, më 1984 Martin Camaj doli me një botim tjetër me titull “Gramatika shqipe” (Albanian Grammar with eksercises, chrestomathy and glossaries, Wiesbaden, 337 f.) Botimi në anglisht është më i plotë, më i hollësishëm e më i gjerë si vëllim se “Libri i mësimit të gjuhës shqipe”. Me të drejtë mund ta konsiderojmë vepër të re të autorit. Botimi i vitit 1984 njohu edhe një ribotim të saj, të përkthyer në italisht nga studiuesi Ardian Vehbiu dhe të botuar në Kozencë, më 1995. Këtë vepër përkthyesi e shoqëron me një parathënie të shkurtër, ku vlerëson punën e veçantë të autorit në rrafshin gjuhësor, por njëkohësisht Martin Camaj vlerësohet si një nga personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare të pasluftës.
Martin Camaj ka një veprimtari të pasur shkencore dhe botuese. Janë me dhjetëra studimet dhe veprat me karakter gjuhësor nga fusha të ndryshme të gjuhës shqipe që përgjithësisht i përkasin historisë së gjuhës shqipe, veçanërisht studimit të autorëve të vjetër, dialektologjisë, përqendruar te të folmet arbëreshe të Italisë, hartimit të teksteve etj., të cilat autori i botoi, përveç Romës dhe Mynihut, edhe në Firencë, Palermo, Sofie, Wiesbaden, Dysendolf, Gutemberg, Nju York etj. Ata u botuan në disa gjuhë, si në italisht, gjermanisht, anglisht, serbo-kroatisht etj. Duke qenë se krijimtaria e tij gjuhësore është në gjuhë të huaj, lind nevoja e përkthimit në gjuhën amtare të veprës gjuhësore të Camajt, gjë që do të ishte një shërbim i mirë për studiuesit e lexuesit.
Studimet për fjalëformimin
Një ndër shkrimet e para me karakter gjuhësor është artikulli prej 9 faqesh, shkruar në serbokroatisht me titull “Kontribut për njohjen e grafisë së Gjon Buzukut”. Është një punim i shkurtër, por me interes për shpjegimet që ka dhënë Martin Camaj për disa shkronja të veprës së Gjon Buzukut. Por monografia e parë gjuhësore, që ka qenë tezë e doktoraturës, ka si titull “Meshari” i Gjon Buzukut. Kontribute linguistike me një studim për origjinën e tyre”, shkruar në italisht. Ky studim i M.Camajt do të botohej në revistën “Shejzat” në vitin 1960. Nuk është një botim i gjatë, ka rreth 89 faqe. Ka vlerë për historinë e gjuhës shqipe dhe veçanti për disa probleme të diskutueshme për veprën dhe autorin e “Mesharit” në atë vit dhe më vonë. Në veçanti kontributet për studimet buzukjane të M.Camajt i ka analizuar akademiku kosovar, Rexhep Ismajli. Që në fi llim të veprimtarisë së tij shkencore M.Camajn e kanë tërhequr autorët e vjetër. Kështu, duke punuar edhe me studiuesin gjerman, Rudolf Trofenikun, i cili në vitin 1977 botoi veprën e Pjetër Bogdanit “Cuneus prophetarum” të shoqëruar me një parathënie nga vetë Trofeniku dhe me një paraqitje të shkurtër nga Zef Valentini në italisht, Martin Camaj në pesë faqe në shqip jep një pasqyrë të hollësishme të alfabetit të P.Bogdanit që e titullon “Çelës për leximin e veprës”. Interesi për veprën e Pjetër Bogdanit vazhdoi edhe më pas, kur në vitin 1990, në prag të daljes në pension botoi një artikull për këtë autor në revistën “Albania”, nr.1 që dilte në ShBA. Të gjitha planet e tij nuk u realizuan, pasi vdekja e rrëmbeu shumë shpejt. Ai së bashku me studiuesin Valter Braun dhe dr. Elvira Graser kishin piketuar platformën e një botimi të plotë për veprën “Çeta e profetëve”, në tri vëllime, që do t‘u kushtoheshin veçorive gjuhësore të veprës, si: grafia, fonologjia, morfologjia, sintaksa dhe fjalori. Në vitin 1966, Martin Camaj botoi monografi në gjermanisht “Fjalëformimi i shqipes. Mënyrat e formimit të emrave të vjetër.” 1966, 175 f.) Është një vepër që paraqet interes edhe sot në disa çështje të fonetikës historike dhe të studimeve etimologjike, ndonëse disa probleme të trajtuara këtu janë kapërcyer nga gjuhësia jonë gjatë 40 vjetëve nga koha e botimit. Sidoqoftë, në disa anë ruan edhe sot vlerat e saj.
Studimet dialektore
Autori, duke jetuar larg atdheut-mëmë, në disa raste, duke mos u njohur edhe me të gjitha botimet dialektore, të kryera në Shqipëri, edhe nga vetë mundësitë që kishte, u mor me studimet dialektore arbëreshe të provincës së Avelinos, të Falkonares, të Bariles, të Vila Badesës etj. Camaj nuk kishte si qëllim më vete që të paraqiste vetëm veçoritë gjuhësore të këtyre të folmeve. Në mënyrë të veçantë, duke ndjekur metodat bashkëkohore, donte të paraqiste edhe historinë e tyre, por edhe aftësinë që kanë pasur këto të folme për të ruajtur traditën, duke pasqyruar përmes gjuhës, zakoneve, riteve identitetin, ndonëse kishte disa shekuj që kishin lënë atdheun e të parëve. Dy dialektologë të afirmuar, J.Gjinari e Gj.Shkurtaj kanë vërejtur se Martin Camaj që nga fillimi i viteve ‘60 të shekullit të kaluar deri në fund të viteve ‘80 kreu një hetim sistematik rreth të folmeve të ndryshme arbëreshe dhe arriti të përshkruante tipin më përfaqësimtar të zonave të ndryshme dialektore, sidomos të atyre më anësore (periferike) dhe më të ekspozuara ndaj ndikimit asimilues të italishtes. Me interes janë tri monografitë e hartuara nga Martin Camaj me karakter dialektologjik, si: “E folmja shqipe e Grecit në krahinën e Avelinos”, Firenze, 1971, 120 f. italisht. Është një ndër monografitë e para të shkruara për një të folme arbëreshe. Gjashtë vjet më vonë botoi në gjermanisht monografinë e dytë me karakter dialektologjik të titulluar” “E folmja shqipe e Falkonares në krahinën e Kozencës”, në gjermanisht 1977, 148 f. dhe më 1991 botoi monografinë e tretë “E folmja arbëreshe e Shën Kostandinit në krahinën e Potenzës”, në italisht. Gjithashtu, Camaj ka shkruar edhe artikuj të tjerë me karakter dialektologjik. Gjithashtu, nga kjo fushë janë me interes shkrimet për probleme të bilinguizmit dhe të plurilinguizmit gjuhësor.