14 Korrik, 2018 - 4:34 pm
Kryetari i Prizrenit Mytahir Haskuka, ka pritur një delegacion të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi. Takimi u realizua, në kuadër të përgatitjeve që kjo shoqatë po i bën për mbajtjen e Sesionit të gjashtë shkencore në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare në Prizren.
Kryetari i Shoqatës, Hysen Ibrahimi e ftoi kryetarin e Prizrenit që të marrë pjesë në punimet e këtij sesioni, që do të mbahet më 25 korrik 2018.
“Deri tani Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi Xi Albani” në Suedi ka botuar afër 300 vepra e të autorëve, të cilët jetojnë kryesisht në mërgim, por edhe vepra të autorëve tjerë. Këtë vit Shoqata është përcaktuar të shënojë dy ngjarje të mëdha për kombin shqiptar, që janë edhe ngjarje jubilare: 140 vjet të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe 550 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut”, tha Hysen Ibrahimi gjatë një prezantimi të punës së shoqatës në takim me kryetarin Haskuka.
Ibrahimi bëri të ditur se përmbajtja e sesionit të gjashtë shkencor do të botohet në numrin e 10-të të Thesarit Kombëtar dhe ajo do të përkthehet edhe në gjuhën suedeze, në mënyrë që edhe suedezet të mësojnë për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe formatin e mbajtjes së saj në kohë. Me këtë rast, ai i dhuroi kryetarit të Prizrenit vëllimet e Thesarit Kombëtar të Mërgatës Shqiptare, që përgatitet nga kjo shoqatë.
Ndërkaq, Haskuka premtoi bashkëpunim të drejtpërdrejtë me SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”, duke thënë se investimi në njerëzit e kulturës nuk është humbje. “Përkundrazi, nëse investon dhe i përkrah njerëzit e kulturës, ata do të jenë ambasadorë të mirë të këtij vendi kudo në botë, siç kanë bërë shoqata “Papa Klementi XI Albani” dhe shumë shoqata tjera. Investimi në kulturë, kthehet shumëfish”, tha Haskuka. Për këtë arsye, ai bëri të ditur se do të hapë një zyre në komunë që do të bashkëpunojë dhe do të komunikojë drejtpërdrejt me mërgatën. Ndërkohë do të nisë një projekt i ndërmarrësisë për të rinjtë, të cilët do të kenë nevojë për këmbime përvojash edhe nga Suedia.
Pas interesimit të Hysen Ibrahimit rreth investimeve që bën komuna e Prizrenit për fushën e kulturës, kryetari, Mytahir Haskuka, foli për investimet që bëhen por nuk ishte i kënaqur me fondin që ndahet për kulturë dhe sport, e as me mënyrën e financimit të aktiviteteve të kulturës. Me vetëm afër 300 mijë euro financohen projektet e kulturës në Prizren, derisa zhvillohen shumë aktivitete gjatë gjithë vitit. Haskuka tha se do të insistojë që kultura dhe projektet e kësaj fushe të mbështeten përmes subvencioneve, për të shmangur mangësitë në organizime dhe cilësinë e dobët që ofrohen. Ai veçoi festivalin “Zambaku i Prizrenit”, për të cilin tha se i ka rënë cilësia, për shkak të mënyrës së financimit të festivalit.
Haskuka u shpreh i hapur për bashkëpunim me SHSHASH “Papa Klementi XI Albani” dhe mërgimtarët që veprojnë në Suedi. Ai kishte një përvojë të mirë nga një vizitë që kishte më herët në Suedi dhe bëri të ditur se do ta kenë një konsulencë mbështetëse për muzetë e Prizrenit, nga një ekspert suedez i muzeve. Ndërkaq, falenderoi Hysen Ibrahimin, dhe SHSHASH “Papa Klementi XI Albani” për mbajtjen e sesionit shkencor në Prizren. “Prej prillit të këtij viti kemi pasur disa aktivitete që janë mbajtur për Lidhjen e Prizrenit. Ky i shoqatës tuaj do t’iu shtohet atyre ngjarjeve si ndër më të mëdhatë që do të jenë në qytetin tonë”, tha Haskuka.
Më pas, delegacioni i SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”, vizitoi edhe Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit, për të parë përgatitjen e nevojshme për mbajtjen e sesionit të gjashtë shkencor. Hysen Ibrahimi tha se tashmë është çdo gjë gati për të shënuar 140 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si një aktivitet qendror i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” për këtë vit. /KultPlus.com