21 Nëntor, 2018 - 11:36 pm
Sot u bë promovimi i “Kosovës” VI,VII dhe VIII në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup.
Edhe promovimi i sotëm i “Kosovës” VI, VII dhe VIII në Shkup , zgjoi interesimin e studentëve dhe të intelektualëve të Shkupit. Me këtë rast, autori u prit nga Rektori Ais Pollozhani si dhe stafi akademik i Universitetit, ku u përgëzua për veprën dhe përkushtimin që në të të gjej vend edhe Maqedonia.
Ndërsa prorektori Rizvan Sulejmani, Buxhovin e vlerësoi autor të rëndësishëm të historiografisë shqiptare, shkrimtar, por edhe intelektual, që i kontribuoi politikisht procesit të shtetndërtimit të Kosovës nga çastet e para. Redaktori i librit, Ramadan Musliu, edhe këtë herë theksoi se projekti i rrumbullakuar i “Kosovës” në tetë libra, paraqet njërën ndër punët më të rëndësishme në historiografinë shqiptare.
Autori, në ligjëratën e tij, u ndal te Maqedonia dhe roli i shqiptarëve në të nga antikiteti deri te koha jonë. Sipas autorit, Maqedonia antike si pjesë e botës dardano-ilire dhe Maqedonia si shtet politik, janë pjesë e pandashme e historisë shqiptare, duke e ilustruar këtë edhe me faktin se Shkupi paraqet kryeqytetin historik të shqiptarëve. Me këtë rast, autori bërë me dije se së shpejti botohet studimi voluminoz “Maqedonia nga antikiteti deri te koha e jonë”. /KultPlus.com