19 Shkurt, 2024 - 11:30 am
Fragment i romanit “Shitësi” i autorit Andrin Aliu.
E vërejta qartë se kishte nisur të dehej. Fjalët e fundit zuri t’i shqiptonte me një zë belbëzues; shikimin e kishte të përhumbur. Do të ishte e pandershme nga ana ime që të shfrytëzoja mendjen e turbullt të tij, për të zbuluar sekretet e të tjerëve.
-Nesër kemi për t’u zgjuar herët! – ndërrova temë. – Tani është bërë vonë.
Xhaxhi Mursel qeshi me të madhe.
-Unë jam e shkuara, Zgjim, – tha ai, duke u përpjekur të dukej serioz. – Ç’më intereson mua e nesërmja? Ti mund të fillosh një ditë të re, por jo edhe unë.
E piu gotën e radhës.
-E ke tepruar me pije, xhaxhi Mursel. Bën mirë ta lësh me kaq.
Mohoi me kokë dhe e mbushi një tjetër gotë.
-Asnjëherë…s’është…mjaftueshëm, Zgjim, – foli me ca ndërprerje, brofi në këmbë dhe këqyri në dritare. – Nuk paska njeri në rrugë. Sa mund të jetë ora? Çudi sesi qyteti mund të jetë kaq i qetë.
Ka kaluar mesnata, – u përgjigja unë dhe u ngrita nga divani.
-Prit, Zgjim! – tha ai, kur e ktheu shikimin drejt meje. – Ku po shkon? Je në apartamentin e mikut tënd. Do të rrimë edhe disa minuta. Kemi mjaft kohë për të fjetur.
U ula prapë në divan. Xhaxhi Mursel ishte mbështetur në parvazin e dritares, duke mos e larguar vështrimin nga unë. Herë-herë i fërkonte sytë e skuqur dhe mustaqet e trasha.
-A beson se e shkuara mund të përcaktojë të ardhmen e një personi? – më pyeti, si të kishte përballë dikë që mund të jepte përgjigje, e cila do të ndryshonte përgjithmonë rrjedhën e jetës së tij.
-Nëse do të ishte kështu, atëherë ç’kuptim do të kishte e ardhmja jonë?
-Pajtohem me ty, Zgjim! Në qoftë se e shkuara është përcaktuese e të ardhmes tonë, nuk ka dyshim që ne po bëjmë një jetë të pakuptim. Por, për fat të keq, pikërisht kjo ka ndodhur me mua. E shkuara më ka rrënuar gjithçka në jetë, më ka goditur të tashmen dhe të ardhmen.
-Përse e thua këtë, xhaxhi Mursel? Çfarë të shkuare ke pasur?
U afrua te tryeza dhe duke u përkulur, zbrazi në gotë sasinë e fundit të rakisë që kishte mbetur në shishe.
-Kërkoj falje, Zgjim! E kam të pamundur që të rrëfej të shkuarën time.
-S’ka ndonjë problem. Të mirëkuptoj plotësisht.
E mori gotën dhe e çoi gjer te buzët , por sakaq e vuri mbi tryezë, pa e pirë asnjë gllënjkë.
-Kishe të drejtë, miku im, – më tha me një zë vërtet miqësor, – sonte e teprova me këtë dreq rakie. Sigurisht ke pasur një ditë të lodhshme, prandaj duhet të pushosh.
-Duhet të pushosh edhe ti, xhaxhi Mursel, – thashë dhe u ngrita në këmbë.
Më përcolli për te porta e apartamentit të tij, teksa u përshëndetëm mes vete. / KultPlus.com