6 Shtator, 2019 - 3:15 pm
Fillimisht, duhet ta ndajmë çështjen duke shtruar dy pyetje, si zbërthim të pyetjes – titull të këtij shkrimi: Çfarë ishte “Meshari” i dom Gjon Buzukut dhe çfarë konsiderohej “letërsi” në kohën e dom Buzukut.
Fillimisht merremi me “Mesharin”. Ai libër sot gjendet në bibliotekën e Vatikanit dhe është shumë e vështirë që të merret për studime, ama një kopje digjitale e tij gjendet në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë si dhuratë që Ati i Shenjtë, Papa Françesku na bëri gjatë vizitës së tij në Tiranë në vitin 2014. Prandaj, nëse dikujt i nevojitet studimi i tij, kopja në Bibliotekë (nëse nuk është përmbytur sivjet apo djegur vjet) mund të jetë një ndihmë e vyer.
Mesharët, si libra, ekzistojnë akoma edhe sot. Nisur nga emri, do të thotë se ai libër të orienton se si të thuash meshën, pra se si të meshosh. Përdoret në çdo meshë dhe thuajse çdo ditë ndryshon, veçanërisht ndër të kremte të rëndësishme.
I tillë ishte edhe “Meshari” i dom Buzukut. Sipas studiuesve të pacituar në libër “Letërsia e Hershme Shqipe e prof. Fatbardha Hoxhës, libri përmban lëndë të ndryshme fetare, meshët e të kremteve kryesore të vitit, komente të librit të orëve, (termi “librit” është përdorur gabim, pasi duhet “liturgjive”) ose të lutjeve, pjesë të ritualit të katekizmit. Meshari (pra ajo çfarë shpjegova më lart) zë dy të tretën e vëllimit.
Tani besoj se pyetja e parë, shumë më e thjeshtë në zbërthim se pyetja e dytë, është e qartë. Le të provojmë, gjithnjë modestisht, t’i japim përgjigje pyetjes së dytë.
I pari që bën dallimin mes termit “letërsi” dhe “joletërsi” për tekstet e shkruara është Aristoteli, i cili në veprën e tij “Poetika”, thotë shprehimisht:
Letërsi janë ato tekste ku fjala artistike është mjeti themelor i realizimit të strukturës së tyre. Nisur nga ky pohim, teoricienë të mëvonshëm do të thonin se letërsia ka parësor funksionin estetik, si dhe ngjalljen e përjetimit estetik te marrësi i saj.
Nga ana tjetër, po të merremi me termin letërsi, sikurse citon Milivoj Solar qysh në krye të studimit të saj “ Hyrje në Shkencën për Letërsinë”, në mend na vjen fjala “literaturë” me prejardhje nga latinishtja “litteratura”. Etimologjikisht, literaturë e ka rrënjën në fjalën “littera” që do të thotë “shkronjë”. Ajo e lidh temrin “literaturë” me gjithçka të shkruar, pasi mund të ketë literaturë shkencore apo fetare. Ndërsa termin letërsi e barazon me termin “art poetik” për të cilin dallimin e qartë e jep Aristoteli ashtu sikurse cituam më lart.
Në raport me dom Buzkun, Aristoteli është shumë i hershëm ndërsa Solar shumë vonë. Por duke qenë se të dy ndajnë një mendim me më shumë pika të përbashkëta se sa ndasi, mund të themi se qysh nga koha e të parit, deri në kohën e të dytit ka ekzistuar, me ndonjë ndryshim të herë pas hershëm, një ide thuajse e njëjtë për letërsinë.
Teksti i “Mesharit” të Buzukut, nuk synon të na japë kënaqësi estetike, ndërkohë që lexohet. Ai synon t’i vijë në ndihmë meshtarit që meshon, besimtarit që dëgjon dhe atij që do të njohë fenë.
Prandaj mund të themi, dhe realisht duhet ta bëjmë, se “Meshari” nuk është libri i parë i letërsisë shqipe, por libri i parë i shkruar në shqip. /KultPlus.com