29 Maj, 2022 - 5:26 pm
Ministrja e Ministrisë së Arsimit, Arbërie Nagavci ka njoftuar se ka marr pjesë në konferencën “Gjuha amtare, dygjuhësia dhe integrimi” që është mbajtë në Malmo të Suedisë, shkruan KultPlus.
Ministrja Nagavci nga kjo konferencë ka vënë në pah se abetarja do të jetë e përbashkët për të gjithë shqiptarët, që nga shtatori i këtij viti.
Më poshtë e sjellim të plotë deklaratën e plotë të ministres Nagavci.
Me shumë kënaqësi iu bashkova konferencës “Gjuha amtare, dygjuhësia dhe integrimi”, që po mbahet në Malmo të Suedisë.
Në këtë konferencë po trajtohen tema me interes dhe me qëllim që të mbajmë gjallë frymën edukuese të gjuhës amtare në përbërjen e akademikëve, ligjëruesve, mësuesve, anëtarëve të Lidhjes së Shoqatave Shqiptare ”Iliria” në Suedi dhe Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë ”Naim Frashëri”.
Duke e njohur rëndësinë e mësimit të gjuhës shqipe por edhe kulturës shqiptare, si Ministri e Arsimit po punojmë në ofrimim e teksteve dhe materialeve shkollore për fëmijët që ndjekin mësimet në gjuhën shqipe në diasporë.
Bashkë me Republikën e Shqipërisë tashmë e kemi tekstin e nivelit të parë
“Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”, dedikuar fëmijëve të diasporës që do të shpërndahet në shtator, po ashtu edhe Abetaren e përbashkët.
Në një bashkëbisedim të këndshëm me bashkëatdhetarët shqyrtuam domosdoshmërinë e angazhimit të shtuar të dy shteteve tona për aktivitete të përbashkëta.
Falënderime për mësimdhënësit e mësimit në gjuhën shqipe në Suedi, por edhe në vende të tjera, për përkushtimin dhe vendosmërinë që ta avancojnë mësimdhënien dhe mësimnxënien e gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë./ KultPlus.com