26 Korrik, 2022 - 8:30 pm
Nga Adem Demaçi
Në klasën e shtatë na u shtuan edhe disa lëndë të reja: latinishtja e psikologjia. Këto lëndë bashkë me frëngjishten na i jepte Zekeria Rexha. Ky ishte një burrë shtatmesëm, zeshkan, me syze prapa të cilave qëndronin sytë e mëdhenj e të zi. Ky ishte fort i përkushtuar që të na pajiste me dije. Para lufte kishte pas qenë nxënës i Liceut francez të Korçës dhe kishte pas studiuar në Francë. Kishte marrë pjesë në luftën antifashiste dhe pas luftës, për disa kohë, kishte qenë në post të lartë, mirëpo serbët e kishin pas shkarkuar nga detyra dhe i kishte ardhur radha që të na bëhej profesor. Djali i tij, Dukagjini, ishte në klasë me ne, por ai kurrë nuk pranonte që të fliste çfarëdoqoftë për babain e vet. Ne kishim dëgjuar nga fjalët në qytet se ai ishte shkarkuar për shkak se kishte kundërshtuar turqizimin me zor të shqiptarëve. Ishte tejmase tolerant me ne. Më në fund, ne, përsëri e gjetëm Kolën tonë të humbur, thoshim ne nxënësit e pakët që kishim kaluar nëpër duart e Kolë Nikajt. Ne e lusnim që të na i përsëriste leksionet e kaluara nga psikologjia dhe ai e bënte këtë pa përtesë. Ne filluam ta pyesnim edhe për shumë çështje jashtë programit mësimor dhe ai e bënte këtë me kënaqësi të madhe. Ne, me pyetjet tona, filluam të hynim edhe “lakrave”. Dhe ai, nuk hezitonte të hynte “lakrave” bashkë me ne. Ne e patëm pyetur për “Rezolutën e Bujanit” dhe ai na pati folur për atë ngjarje të rëndësishme të historisë sonë, një muaj rresht, duke marrë nga pesëmbëdhjetë minutat e para të orëve që mbante çdo ditë me ne. Ai kishte pas qenë edhe njëri nga hartuesit e kësaj rezolute. Ai na e citonte pothuaj në tërësi “Rezolutën e Bujanit” të nxjerrë nga Këshilli Nacional-Çlirimtar i Luftës Antifashiste të Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit. Pasi pati përfunduar këto leksione, profesori ynë, pati nxjerrë shaminë dhe pati fshirë djersët. Vetëm shpirti i tij e dinte se si ndihej. Tani, ne nuk ishim krejt të vegjël që të mos dinim se nga sa po shkonte fasulja në Serbi. Të gjithë ishim mbi shtatëmbëdhjetë vjeç. Mirëpo, kureshtja jonë për të mësuar të vërtetën tonë ishte aq e madhe saqë nuk përmbaheshim dot. Edhe një çështje na kishte mbetur e pasqaruar. Të gjithë e dinim se pyetja ishte fort, fort e rrezikshme, mirëpo ne nuk kishim kë të pyesnim tjetër. Ajo pyetje na shqetësonte pamasë dhe nuk u duruam dot.
Një ditë, gjatë shëtitjes së gjatë mes orëve, më futën në mes Shefqet Popova, Ali Buçinca, Feti Badivuku, të gjithë nga Vushtrria dhe Avdi Sinani e Enver Tali. Shefqeti e hapi i pari muhabetin:
-Shiko Filan! Ty profesori të do më së shumti në klasën tonë…
-Edhe? – thashë unë.
-Edhe,-vazhdoi Shefqeti,- ne, shokët e klasës, e kemi një lutje për ty…
–Po, ta pyes profesorin, çka?
–Dëgjo,-ndërhyri Enveri-kjo është pyetje fort e vështirë dhe mund ta ngushtojmë fort profesorin
– Dëgjo Filan, – ndërhyri Avdiu. – Ta pyesësh profesorin se ku qëndron shkaku që ne kosovarët mbetëm në robëri? Vetëm kaq…
Unë u ndala dhe po i shikoja të gjithë me radhë. Më në fund thashë: -More, po ju a po doni që profesorin ta fusim në burg e ndoshta të bëhemi shkaktar që ai ta humbë edhe kokën?!…
Heshtje. Pas pak, foli Aliu: -Dëgjo! Profesori edhe me kaq sa na ka folur e ka fituar burgun e ndoshta edhe ta humbë kokën. Kur i pata treguar unë në shtëpi vllaut tim, Isakut, se çfarë po na thoshte ne profesori, ai lëkundej prej vendit dhe kapte kokën me duar. Më pati thënë: “Hej, more, juve djalli ju marrtë! Do ta merrni në qafë profesorin”!…
–Mirë po thotë Aliu! Ne, në qafë e morëm se e morëm dhe le të shkojë me një harxh!… Të paktën do ta marrim vesh të vërtetën e plotë. A s’është kështu?- na i hapi sytë prapa syzeve, Feti Badivuku.
-Ashtu është!- thanë të gjithë njëzëri dhe ndër ta vazhdoi Shefqeti:
-Paj, Filan, ty të intereson edhe më shumë se neve e vërteta e plotë…
Rrudha krahët. Ia qëlluan. Po i shikoja të gjithë me radhë dhe ula kokën. Ata buzëqeshnin dhe ia bënin njëri tjetrit me sy. N’ata ra zilja e shkollës për të hyrë brenda në klasa…
Ishte ora e frëngjishtes. Hyri profesori Zekeria dhe pyeti:
-Ku kemi mbetur?
Ata të pestët e oborrit m’i hapën sytë si në mënyrë kërcënuese. Unë
hezitoja. Enveri foli:
-Filani e ka një pyetje për juve, profesor…
– Mos e keni Filanin mësit, ju? – tha profesori duke mos i dhënë rëndësi kësaj pune dhe m’u drejtua mua: -Fol, Filan!
Unë u ngrita në këmbë dhe me zë që dridhej thashë:
– I dashur profesor, kush ka faj që Kosova, përkundër “Rezolutës së Bujanit”, mbeti nën Serbi?…
Profesori, për një çast u pre, pastaj i shkoi një qehre e zbehtë, por menjëherë pas kësaj, mori veten dhe fytyra iu skuq. Ai, me duar që ende i dridheshin, nxori pakon e cigareve, nxori shkrepsën, ndezi cigaren, iu afrua dritares, hapi njërin krah të saj dhe qëndroi ashtu me fytyrë kah rruga. Ai thithte tymin në qetësi të plotë. Ne u bëmë vetëm sy e veshë. Kur e kreu cigaren, profesori fiku duçin duke e shtypur mbi teneqen e jashtme të dritares dhe hodhi duçin në oborrin e shkollës kah rruga. Pastaj, iu afrua ngadalë djalit të vet në bankën e parë, pranë meje dhe i tha:
-Dukagjin, ti merr çantën dhe shko në shtëpi!- Pastaj ai, ua bëri me gisht dy anëtarëve të komitetit të rinisë të gjimnazit, Nazmi Kajtazit e Nazmi Junikut, duke u thënë butësisht:-Ju të dy, përcilleni Dukagjinin deri në shtëpi!
Ata të tre u larguan dhe profesori na u drejtua me zë shumë të sigurt:- Jeni shumë të ri, por edhe ne, në kohën tonë kemi qenë shumë të ri kur jemi marrë me punë shumë serioze, si ju sot. Janë kohëra fort të rrezikshme e fort të vështira, por më duhet t’ua them të vërtetën e kulluar, pa le të dalë, ku të dalë!… Fajin e kemi ne komunistët shqiptarë që komunistëve jugosllavë u besuam qorrazi. Fajin e kemi ne që kërkuam ndihmën e tyre. Fajin e kemi ne që fare i besuam idesë komuniste, e cila s’kishte pas qenë gjë tjetër përveçse një gënjeshtër e madhe me bisht të përgjakur. Krejt ato që ndodhën dhe që po ndodhin pas mbarimit të luftës e provuan dhe po e provojnë një të vërtetë të këtillë. Krimet që u bënë deri më sot dhe që po bëhen sot ndaj shqiptarëve në Goli Otok e në burgjet tjera, vrasja nën tortura çnjerëzore e Omer Çerkezit me shokë flet mjaft qartë se komunizmi kishte pas qenë një përrallë për fëmijët e vegjël…
Profesori u ndal për një çast, Na shikoi të gjithëve, një nga një e pyeti me zë të lartë:
-A dëgjuat? –
Ne të gjithë u përgjigjëm me një “po” të gjatë.
-Atëherë, – foli profesori duke na e luajtur gishtin,- prej këtij momenti e tutje, nëse ju pyet dikush, ju do të thoni se nuk keni dëgjuar asgjë!…
Të gjithë ne, prapë, u përgjigjëm me një “asgjë”.
Ora vazhdoi me frëngjishte, por në kokat tona u thadrua thellë e vërteta e hidhur për komunizmin dhe na u ndriçua fort dashuria për kombin tonë. / KultPlus.com