3 Gusht, 2018 - 11:00 am
Poeti Afrim Demiri, u shpërblye me çmimin e parë në Manifestimin Poetiko-Letrar “Malli poetik i Kosovës”, edicioni i shtatë, që u mbajt në Fushë Kosovë, shkruan KultPlus.
Poeti këtë shpërblim e cilëson si ngushëllim poetik për humbjen e hershme të mikut të tij Bekim Lumi, që sipas Demirit ishte lexuesi i parë i kësaj poezie.
Këtë njoftim e ka bërë poeti nëpërmjet rrjetit social Facebook, ku po sjellim të plotë shkrimin e tij bashkë me poezinë:
Ky shpërblim vije si një ngushëllim poetik, për humbjen e hershme të mikut Bekim Lumi, i cili ishte lexuesi i parë i saj dhe e cila kaloi nëpër laboratorin e tij redaksional dhe kritik. Bekim ty, si një Skenderbegas I devotshëm që ishe, ta përkushtoj këtë shpërblim si falënderimin më të madh shpirtëror, për frymëzimin dhe nxitjen artistike dhe estetike që ma dhuroje, në çdo moment pranie me Ty. Të lutem, dëgjoje marshin Skenderbegas si vije deri tek ti!
Një lutje e moçme 550 vjeçe
Mos i tremb
sorrat me shpatë
Moti janë mallkue
të krokasin sipër parzmores
Sate
Fali siç I falje
pabesitë
Dil nga lëkura e bronztë
Udhës së Kombit kthehu
Mos e hiq përkrenaren bricjapi
ta dish bajlozët nuk dalin ma
veç prej detit
Saherë që hataja
troket në pragjet tona
Kreshpëro me jelat e gjogut tand
si bisht komete
Zbrit nga qielli Arbëror
hidhe shikimin matanë
pashë Diell e Hanë
Shtegto me hirin tand
Princor
Gjamën e kambanave
për ty
ndigjoje
Dhe lutjen tonë
besoje
Maj, 2018