27 Tetor, 2017 - 3:34 pm
Në kabinetin e ministrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, është mbajtur ceremonia solemne për dorëzimin e Çmimeve të Dramës Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” për vitin 2016, përcjellë KultPlus.
Fillimisht ministri Kujtim Gashi, pasi përshëndeti të pranishmit tha që përkundër se ndarja e çmimeve është një proces i vonuar sepse ka filluar në vitin e kaluar megjithatë takim për ndarjen e çmimeve po mbahet.
“Ministria e Kulturës këto çmime i ka ndarë në bazë të një rregulloreje që është për ndarjen e këtyre çmimeve dhe në bazë të një komisioni vlerësues. Për mua është kënaqësi ti ndaj këto çmime dhe unë si ministër ju premtoj që do të keni mbështetjen time gjithmonë”, ka thënë ministri Kujtim Gashi.
Në kuadër të kësaj ceremonia u dorëzuan tri çmime: Çmimi i parë për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” iu dorëzua autorit Ag Apolloni për dramën “Hamleti im, çmimi i dytë shkoi për dramën “Bosh me rudha” të autores Ulpiana Maloku dhe çmimi i tretë iu dorëzua Brikena Sopit për dramën “Rropatje”.
Fituesi i këtij çmimi Ag Apolloni u shpreh falënderues për vlerësimin, përderisa vlerësoi se ky moment nuk është shumë i gëzueshëm përderisa aktorët janë në grevë e pikërisht janë ata të cilët do ta vënë këtë shfaqje në skenë. / KultPlus.com