Agim Vinca sjellë të ribotuar librin ‘Shqiptarët mes mitit dhe realitetit’

2 Gusht, 2017 - 5:11 pm

Shkrimtari dhe intelektuali i shquar, Profesor Agim Vinca, vjen me librin e tij më të ri “Shqiptarët mes mitit dhe realitetit”, shkruan KultPlus.

Ky është në të vërtetë botimi i tretë i këtij libri, botimi i parë i të cilit pati dalë njëzet vjet më parë te shtëpia botuese “Shkupi” nga Shkupi, ndërsa botimi i dytë i tij ishte botim elektronik i edituar nga shtëpia botuese “Filozofia urbane” Prishtinë. Botimi i tretë i këtij libri, që ka gjithsej 312 faqe, është botim i shtëpisë botuese “Artini” nga Prishtina.

Recensentët e këtij libri, qysh nga botimi i parë i tij (1997), Hydajet Hyseni dhe i ndjeri Arbër Xhaferi. Hydajet Hysëni ndër të tjera shkruanë se edhe si poet edhe si publicist Agim Vinca, i mbetet besnik porosisë poetike të Hygoit, për të mos ndalur rrugën drejt pushtimit të lirisë, të së drejtës dhe së vërtetës.

“Agim Vinca i takon grupit të vogël të intelektualëve shqiptarë, të cilët patën guxim të flasin edhe në kohën e heshtjes së madhe. Ai i takon grupit të atyre që do të mund t’i quanim ‘gjahtarë të frikës’. Duke qenë ‘gjahtar i frikës’ dje, autori i këtij libri ka gjasa të bëhet sot (dhe nesër) ‘gjahtar i marrëzisë’”, shkruan Arbën Xhaferi.

“Libri “Shqiptarët mes mitit dhe realitetit” përbëhet nga artikuj, ese, vështrime, trajtesa dhe intervista, që i lidh një fill i përbashkët, i cili sugjerohet qysh në nëntitullin e librit: “Shënime rreth historisë, mendësisë dhe poIitikës shqiptare”. Pas “Fjalës së autorit”, të shkruar enkas për botimin e dytë (elektronik) dhe një teksti për Himnin Kombëtar të shoqëruar me tekstin e tij autentik (edhe në faksimil), pason studimi i gjerë me titull “Bashkimi I shqiptarëve në një shtet – e vetmja zgjidhje e drejtë e çështjes kombëtare shqiptare”, i shkruar për librin “Kombi. Rrugët e bashkimit shqiptar” (1998), në të cilin qenë marrë opinionet e 22 intelektualëve eminentë shqiptarë për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare.

Në këtë libër ka edhe shumë shkrime që trajtojnë aspekte të çështjes shqiptare në Maqedoni si një segment i rëndësishëm i çështjes shqiptare në përgjithësi./ KultPlus.com

Të ngjajshme