30 Prill, 2018 - 4:51 pm
Gili Hoxhaj
Agron Alibali prezantoi sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës gjetje të rralla nga “Fjalor etimologjik i shkruar nga albanologu Norbert Jokl”, shkruan KultPlus.
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku tha se ndihet i lumtur që sot studiuesi Agron Alibali ka ardhur përsëri në BKK, ku kishte prezantuar kohë më parë një libër studimor lidhur me Faik Konicën. Ai tha se e cilëson Alibalin si një njohës të fushës juridike dhe si një njeri të pasionuar në dokumente arkivore me interes albanologjik që sot po e sjellë një studim më të thellë për albanologun Norbert Jokl.
Prezantimi i Alibalit sot në BKK, ishte i fokusuar tek jeta dhe trashëgimia e albanologut Jokl. Ai fillimisht lexoi dosjen OSS, e cila në fjali të shkurtra përshkruante gjithë jetën dhe veprimtarinë e Jokl-it i cili ishte albanolog austriak me prejardhje hebreje dhe që ka shkruar një fjalor të gjuhës shqipe ende të pabotuar. Njihet si një ndër themeluesit e albanologjisë. Por, para se të njihej si albanolog i madh ai ishte i çmuar si studiues i filologjisë balto-sllave dhe si bibliotekar (Oberstadts bibliothekar) i Universitetit të Vjenës.
“Në janar të vitit 1931, një kartolinë urimi do të vinte në apartamentin e Fan Nolit në Boston, dhuruesi ishte albanologu Norbert Jokli dhe kartolina fliste kështu “Fort i ndershmi zotni Fan Noli, urimet ma të përzemërta për motin e ri”, në një komunikim të mëvonshëm që e ka nxjerrë Agim Vinca, Jokli i drejtohej Fan Nolit si hirësi”, tregoi studiuesi Alibali.
Ai tutje tregoi edhe vizitën e parë dhe të fundit që Norbert Jokli i bëri Shqipërisë në fund të nëntorit të vitit 1937 ku pritja dhe respekti për të ishin të jashtëzakonshme.
“Me rastin e 25 vjetorit të Pavarësisë së vendit, Mbreti Zog ia dhuroi Joklit “Medaljen më të lartë të Shqipërisë”, tregoi Alibali.
Në kohërat më të vështira politike që ndikuan edhe në veprimtarinë e Joklit, Shqipëria ishte bërë destinacion për Joklin. Disa nga miqtë e tij shqiptarë që e njihnin punën e tij, ishin Gjovani, Pepo, Noli, Poradeci dhe Konica. Ata ishin përpjekur që ta strehonin Joklin në Shqipëri.
“Raportet e Nolit dhe Konicës dhe mbështetësve të tyre me Norbert Joklin përbëjnë një ndër faqet më të ndritshme në jetën e bashkësisë shqiptaro-amerikane. Ata iu gjinden Joklit në ditët më të vështira”, tregoi tutje Alibali.
Fundi i jetës së tij është tragjik. Norbert Jokli u arrestua nga Gestapoja më 4 mars 1942 në banesën e tij në Vjenë, dy nëpunës të Gestapos e morën profesorin prej shtëpisë së tij në Neustiftgasse 76 dhe e ndryn së pari në Sperrgasse e mandej në kazermën Rossauer në Vjenë. Me një letër tjetër, e cila mban datën 1 prill 1942, Tagliavini i kumtonte Koliqit lajmin e arrestimit të Joklit dhe përpjekjet për të ndërhyrë nëpërmjet kryeministrit fashist Kruja. Si datë e vdekjes së N. Joklit konsiderohet 6 maji 1942, por për sa i përket rrethanave të vdekjes së tij jepen variante të ndryshme.
“Norbert Jokli nuk la trashëgimtar, sot nuk ka as varr e megjithatë tërë pasurinë e tij intelektuale ia la popullit shqiptar. Jokli ishte së pari jurist dhe me siguri me shkrim e ka lënë dëshirën e tij të fundit por edhe sot ende nuk e kemi gjetur testamentin e tij”, tregoi Alibali i cili sqaroi se pro konkluzioni për këtë bazohet në atë se vet faqja zyrtare e “Universiteti të Vjenës” e afirmon këtë. Së dyti është dëshmia e Hito Sadikut në bazë të një letre që i ka shkruar Nolit ku shkruhej: “Kam dëgjuar se vite më parë Jokli ka bërë një testament me anë të së cilës bibliotekën e tij të pasur ia falë shtetit shqiptar por bibliotekën më pas ia konfiskuan shqiptarët”. Dëshmia e tretë është ajo nga Eqrem Qabeji: “Karlo Talavini profesor në Itali më tha se profesori Jokli disa muaj para se të zhdukej i kishte thënë atij në Vjenë se gjithë pasurinë shkencore të tij ia ka lënë Shqipërisë”.
Alibali lexoi edhe dëshminë e katërt nga autoritetet gjermane, për të cilës tha se është një dëshmi e palëkundshme. Kjo dëshmi përbëhet nga një letër e 3 qershor të vitit 1942 e nisur nga shefi i Policisë së Sigurimit, ku thuhet se albanologu hebre Jokli mbizotëron një bibliotekë të rrallë shkencore të cilës i përkasin ndër të tjera “Fjalori shqip” me përpunime të hollësishme me dorëshkrim për një përpunim të mëvonshëm si dhe një katalog, si trashëgimtar për këtë bibliotekë të plotë e cila për shkencën gjermane ka një vlerë të lartë, profesor Jokli ka caktuar shtetin shqiptar. / KultPlus.com