Ai, baleti dhe unë

12 Dhjetor, 2019 - 11:44 pm

Nga: Mimoza Kuchly

Zura vend në barin e hotelit, duke pritur kafenë e fundit para se të largohesha nga ai qytet. Në trotuarin përpara, njerëzit shtyheshin, nxitonin, prisnin të shkonin diku.
Qyteti i vogël, të cilin e vizitoja për herë të parë, dukej pak i rrëmujshëm prej ndërtimeve.
Moti dukej kapriçoz, por nuk do të binte shi sipas parashikimeve. Retë e kapërthyera si format e bukura të një trupi joshës femëror, herë shkapërdaheshin e herë tkurreshin. Qielli dhe dielli, dashuria dhe pasioni, ato që natyra ka krijuar pa hatër, shiu si lotët e mallit… Natyra nuk njeh brengosje në vetvete.
Baleti i mbrëmshëm më kishte ngacmuar shumë, sa klasik aq dhe poetik, me nota të theksuara erotike, që më mbështolli në relievin e vet, duke zgjuar diçka që e kisha harruar. Të gjitha ngjyrat e jetës vërtiten drejt së kuqes së dashurisë, erotikes, pasionit…
Kamerieri vendosi filxhanin e kafesë mbi tavolinë dhe u largua me një buzëqeshje të freskët mëngjesore. Nuk e kuptova si brofa sapo dëgjova një zhurmë pas shpine, duke mos kontrolluar lugën e vogël të kafesë, që fluturoi në ajër e ra mbi supin e një zotërie.
Ky i fundit, burrë simpatik, hodhi një vështrim intrigues. Zgjati dorën të më jepte objektin që sapo e kishte goditur. Gishtat cekën metalin e ftohtë, por, krejt papritur, një shkarkim elektrik bëri që luga si shigjetë të çante ajrin shkarazi supit të tij. Vështrimet e hutuara shkaktuan të qeshura. Përballë meje ishte një burrë rreth të pesëdhjetë e pesave, shtatëlartë, gjë që vihej re lehtësisht, ndonëse ishte ulur, veshur me një pallto treçerekëshe të zezë, një shall gri në bezhë të lidhur pas qafës. Pak burra gëzonin një elegancë të tillë në atë qytet. Kishte vështrim zhbirues dhe krijova përshtypjen se, duke njohur këtë cilësi, ai nuk mbante syze dielli.
– Ju jeni Hestia, si perëndesha e zjarrit, në mos gabohem…
Zëri u shoqërua me një vështrim pyetës dhe një buzëqeshje, e cila më hipnotizoi të tërën. Nuk besova se lexoi ftesën e vështrimit, fshehur nën syzet e diellit. Humori për paraqitjen serioze më bëri të vazhdoj po aq gazmore.
– Po. Quhem Hestia me H të madhe. Më vjen keq për incidentin!
Vazhdova lojën, pasi edhe emri me të cilin ai më thirri më pëlqeu.
– Hestia, është kënaqësi të takohemi, sidomos në këto rrethana. Unë jam Arkimed, me A të madhe.
Duke qeshur, duart tona u takuan dhe ndjeva një vagë të ëmbël, që më përshkoi të tërën. U çudita me reagimin që po i ndodhte qenies sime.
Nuk e ftova të ulej, as ai nuk mori leje, sikur të kishim lënë takim më parë. Nuk e refuzova, ndjeva se nuk doja t’ia humbja vetes këtë kënaqësi. Me një vështrim admirues zuri vend përballë meje.
– Hestia, ju përshtatet ky emër. Nëse më lejoni, do të provoja nëse ju vërtet transmetoni gjithmonë energji.
Buzëqeshja ime i mjaftoi për miratim. Kisha besim në eksperimentin e tij. Ngriti dorën dhe e afroi pranë pëllëmbës sime vendosur mbi telefon. Një prekje njësekondëshe dhe e largoi sikur të kishte prekur diçka të nxehtë. Lëvizja e menjëhershme më trembi dhe, me po atë shpejtësi, lëviza dorën në ajër. E qeshura jonë e lartë dhe pa komandë bëri që disa kalimtarë të kthenin kokën.
– E shikoni? Ju thashë që keni energji të parezistueshme, jo vetëm mbi mua. Ja, edhe kalimtarët e ndjenë magjinë.
Duart u prekën dhe vala e nxehtësisë që përshkonte trupin dukej se më tradhtonte me përflakjen në fytyrë.
– Mund t’ju them me bindje se nuk jeni nga qyteti ynë, apo gabohem?
Kishte sy kafe, flokët tek-tuk gri, sikur t’ia kishte krehur dëbora, vështrim të prerë dhe këmbëngulës, buzëqeshje që i largonte ngërçin kur heshte. Duhej të ishte diku në fushën e artit. Nuk e di pse e mendova kritik. Në heshtje e studioja nën syze.
– Jo, turiste.
Vështrimi dhe trupi i tij pësoi një zmbrapsje të lehtë prej përgjigjes, si të thoshte se kishte qenë i saktë.
– Ah, po, sa mirë! Meqenëse ju nuk jeni nga qyteti ynë, atëherë më lejoni të bëj udhërrëfyesin, falas, kuptohet, ndryshe ç’vlerë do të kishte.
Nuk po më ndahej buzëqeshja. Përskuqja ndoshta duhej të ishte shtuar edhe nga dielli, që po këmbëngulte më gjatë në rrezatimin tashmë më përvëlues.
– Oh, ju falenderoj për ofertën tepër bujare, do të pranoja me kënaqësi, por sot më duhet të largohem. Po pres taksinë për në stacionin e trenit. Vizita ime mbaroi këtu. Keni një qytet interesant dhe ju banorët nuk mbeteni pas.
Adrenalina ishte injektuar qëkur vura këmbën në atë qytet.
Përballë meje, një fatkeq, një Arkimed, me lugën e kafesë në dorë, m’u drejtua:
– Hestia, sikur të kisha pushtetin e ndryshimeve në duar, do të bëja që kalendari të kthehej mbrapsht, por fatkeqësisht nuk mundem…
Ngriti supet i dëshpëruar dhe pas një momenti, duke rrotulluar lugën nëpër duar, pyeti:
– Çfarë ju solli në qytetin tonë? Thjesht turiste apo me një program të përcaktuar?
– Besoj se qyteti juaj i ka të dyja arsyet për ta vizituar.
Nuk i fola për baletin dhe autoren e tij, Anian, e cila edhe më falënderoi gjatë kokteilit për pjesëmarrjen në aktivitetin e saj, kur mori vesh se kisha ardhur nga larg. Ishte një zonjë energjike dhe dukej sikur çdo fjalë që thoshte e rrumbullakoste në gojë, buzët e së cilës ishin tepër ndjellëse. Zonjë intriguese.
Shfaqja ishte me nuanca të këndshme erotike, ku asgjë nuk ishte e tepruar, por nuk mungonte as guximi. Më bëri që gjatë pushimit, t’i kaloja fytyrës një tualet të lehtë e një të kuq të fortë buzëve, që nuk e kisha bërë asnjëherë më parë.
Nëse ishte kritik arti patjetër që do ta kishte parë, por nuk doja ta kaloja bisedën në tema erotike. Shihja se edhe me kaq ndihesha jo pak e ndezur.
– Keni pozuar ndonjëherë për ndonjë artist?
Pyetja ishte e beftë, sikundër edhe dora e tij mbi timen, që u drodh si gjithë trupi. Ia ngula sytë, këtë herë me vështrimin e një pyetjeje të guximshme, por u kujtova se pas pak do të largohesha. Nuk jam as nga ato gra që marrin poza para burrave, megjithëse pas atij baleti nuk do të bëja keq të shihja veten në veçanti.
– Po. Për fotografi pasaporte, çdo dhjetë vjet.
Përfitova nga rasti të tërhiqja dorën lehtë. Thellë brenda vetes më pëlqente. Trupi ishte ngrohur tashmë nga ajo përkëdhelje, efekti ishte bërë. Janë disa energji që njeriu vërtet nuk arrin t’ia refuzojë vetes në momente të veçanta, me njerëz po aq të pazakonshëm. Sikur mos ta kishte ndier largimin e dorës, pa u treguar i fyer, vazhdoi sërish:
– Unë nuk jam piktor, por do të doja të bëja portretin tuaj. Ju çfarë do të bënit, për shembull?
Më gjeti në befasi, por ndihesha aq në formë sa vazhdova bisedën.
– Unë… një anije…
Nuk e kuptova se nga më doli kjo ide, por ndieja që po më bënte mirë e folura me atë të panjohur, duke shkelur tabunë e komunikimit me të huajt.
– Shumë mirë, ne deti na mungon, por dëshira për ta ëndërruar jo. Atëherë, ju më ndërtoni anijen dhe unë portretin tuaj, kështu më pas do të udhëtojmë së bashku.
Pra, mund t’ju sodis me leje.
Gjithkund ndjeva përkëdheljen e vështrimit të tij, si për të më bërë të kuptoja mesazhin e sapothënë. Duhej të isha përflakur në fytyrë, se ndieja nxehtësi që vërshonte brenda meje.
– Nuk do t’ju çudisja besoj, nëse do t’ju thosha se keni një portret që peneli e përqafon. Duhet t’jua kenë thënë më parë.
Uli sytë si të donte të fshihte vështrimin që po depërtonte tek unë. Kisha dëshirë të komunikonim, nuk më interesonte portreti.
Sikur të më kishte kuptuar mendimet, e la punën dhe vazhduam bisedën. Diskutuam për artin, letërsinë dhe nuk dija kë kisha përballë. Gjithsesi, nuk doja ta zgjidhja enigmën apo misterin e njeriut të panjohur, i cili më bënte të dilja jashtë vetes. Do të doja të rrija gjatë, por udhëtimi im ishte parashikuar. Nuk mendoja se mund të ndodhte diçka me “kritikun”, s’para udhëhiqesha nga impulset, megjithëse edhe kjo që ndodhi tregoi se në njëfarë mënyre logjika nuk ishte udhërrëfyesja ime. Shfajësoja veten duke e parë përballë, se ky takim mund t’i ndodhte gjithkujt. Gjatë bashkëbisedimit, si rastësisht duart tona cekeshin, prekeshin, përkëdheleshin. Vështrimet përplaseshin, duele fitues e humbës, frymëmarrje të heshtura dhe përpëlitëse në trupat që tradhtoheshin nga emocione të padrejtuara, të pakontrolluara.
Një dridhje tjetër më trembi, por këtë herë ishte telefoni. Recepsionistja e hotelit më lajmëroi se taksia mbërrinte për dhjetë minuta.
– Vërtet do të largoheni? – më vështroi i zhgënjyer. Me kënaqësinë më të madhe do ta shtyja udhëtimin, por ky takim ishte thjesht “një shkarkim elektrik” i shkurtër mes dy të panjohurish. Kjo i ndërlikonte gjërat. Por më pëlqente dëshira e tij për të vazhduar bisedën.
U ngrita për të shkuar drejt taksisë që ishte afruar.
– Më lejoni, të paktën, të bëj shoqëruesin deri tek taksia.
Nuk kundërshtova. Tërhoqi valixhen pas vetes dhe ndjeva supet tona që u çikën. Në ato momente, gjithkujt mund t’i dukeshim një çift normal. Taksisti mori valixhen, e vendosi në bagazh dhe hapi të dyja dyert në pritje.
– Jo, unë do të udhëtoj më vonë, – foli duke parë me keqardhje nga unë.
Energjia e buzëqeshjes së tij keqardhëse kërkonte një përqafim të vërtetë ndarjeje.
Hyra në taksi e shoqëruar nga vështrimi i tij, i zhgënjyer, por nuk i dhashë asnjë shtysë, edhe pse gjithçka brenda meje e kërkonte, e dëshironte.
– Mirupafshim, Hestia! – më oshtiu zëri i tij, si një përgjërim për rikthim.
– Mirupafshim, Arkimed! – iu bashkua zbehtësia e zërit tim po aq lutës, pa guxuar më shumë.
Nuk doja të gënjeja veten, por ishte largimi më i padëshiruar. Gjithçka kishte ndodhur vetëm brenda dy orësh. Sikur…
Trafiku nuk e pengoi taksistin të na çonte në stacionin e trenit pothuaj në orarin e parashikuar. Nuk i isha lutur ndonjëherë vonesës së udhëtimit sa në ato momente, edhe pse e dija që kjo nuk ndryshonte asgjë. Nuk mësuam as emrat, as numrat e telefonit. Ishte një çast, e kaluam këndshëm dhe aq.
Qytet i çuditshëm! Me biletën në dorë iu afrova zonës së kontrollit. Pas vetes ndjeva një frymëmarrje të ngrohtë, një parfum që ngacmoi qenien time.
– Hestia!
Ndjeva një dorë mbi sup dhe gjunjët të më lëshoheshin. Doja ta mbështesja kokën ashtu pas, duke e ditur se ai do të më shtrëngonte, por… ishte thjesht një skenë filmi. U ktheva rrëmbimthi dhe pa e kuptuar u gjenda në krahët e atij burri të panjohur, i cili për pak dënoi udhëtimin tim.
– Arkimed!
Ndjeva dorën që më shtrëngonte aq ëmbëlsisht si më parë dhe po ajo dridhje, që nuk e shihja në pamjen e jashtme. Dorën tjetër e ndjeva rreth belit. Pa dashur të kundërshtoj e lashë të më udhëhiqte. Më tërhoqi nga vetja, pa pyetur vështrimet e punonjësit, të cilit i mbeti makina kontrolluese në ajër.
– S’mund t’ju lija të largoheshit pa ju treguar portretin. E mbarova sapo u larguat.
– Nuk doja… të shkoja pa ju thënë lamtumirë…
Vështrimet tona kërkuan heshtjen, toleruan frymëmarrjen, ndjenë vetëm rrahjet e zemrës, kur trupat u bashkuan me komandën e dëshirës së përqafimit. Duart e tij dridheshin apo faqet e mia përvëlonin nga ëmbëlsia e përkëdheljeve. Nuk di në buzët u cikën, u ndjenë a u bashkuan përvëlueshëm. Duart e mia, në flokët e atij burri të panjohur, përkëdheleshin dhe argëtoheshin. Buzët realizuan dëshirën e shkarkimit të asaj energjie, që në momentin e parë të prekjes. Kërkoja parfumin e tij. Për asnjë moment sytë e mi s’u çelën të shihnin dëshirën e tij; e ndieja te shtrëngimi. Nuk di sa kohë zgjati, veçse zëri i altoparlantit thërriste me ngulm për përgatitjen e udhëtarëve të orës dymbëdhjetë. Nuk m’u përgjërua të qëndroja. Më mirë; i urreja çmenduritë.
– Hestia, perëndeshë e zjarrit.
– Arkimed, është i gjithë faji i baletit erotik, për të cilin erdha në qytetin tuaj. Energjia vjen prej tij…
Nuk munda të vazhdoja fjalinë, se gjithçka në pamjen e tij ndryshoi dhe jam e sigurt që gjithçka i shpëtoi pa dashur…
– Ju keni qenë dje tek Ania…
Sytë ngrinë për një çast dhe kuptova se ai nuk ishte vetëm kritik arti. Dora iu drodh, një moment… Gjithçka atë ditë ishte vetëm një çast. I buzëqesha sikur nuk e kisha kuptuar.
U pamë në sy me një buzëqeshje shfajësuese për njëri-tjetrin. Në vend të largimit, ndjeva shtrëngimin e duarve të tij, nxehtësia e të cilave nuk ishte asgjë para afshit që po më përvëlonte të tërën. Puthja e fundit ishte një lamtumirë nga ai, magjia e një baleti dhe unë.
– Hestia… rrufe e bukur…
Nuk kuptoja në ishte zëri i tij apo unë përktheja ritmin dhe zjarrminë e përcjellë. Askush nga udhëtarët nuk mund ta besonte se ishim krejtësisht të panjohur. U shkëputa vrullshëm dhe nga xhepi nxora anijen e zhubrosur ku kisha shkruar: “Magjia e një baleti”. Ia lashë, tërhoqa dorën pa dëshirë dhe në sekondën e fundit vrapova drejt kontrollorit pa e kthyer kokën pas, me përkëdheljet e “Arkimedit” të panjohur, që më kishte përflakur jo vetëm trupin. Nuk doja, nuk duhej të kthehesha.
Kontrollori i buzëqeshi me keqardhje “Arkimedit”, duke mbyllur barrierën pas.
“Jeta është treni, nuk është stacioni ku ai ndalon”, ia përsërisja vetes në kthim dhe sot e kuptova ndryshimin… Erdha në këtë qytet dhe baleti i saj më hodhi në krahët e tij. /KultPlus.com

Të ngjajshme