20 Tetor, 2018 - 6:00 pm
Në hapësirat e Shtëpisë së Kulturës, “Koço Racin” në Shkup, mbrëmë u promovua libri “Perla gjuhësore” nga studiuesja dhe profesoresha universitare Ajten Hajdari – Qamili, si rezultat i punës dhe hulumtimit disavjeçar, e cila rezultoi me prurje të reja në fushën e albanologjisë.
Libri është i ndarë në gjashtë kapituj dhe në të shtjellohen çështje drejtshkrimore, dialektologjike, leksikore, çështje të ndërndikimeve gjuhësore, probleme të sociolinguistikës e të psikolinguistikës si dhe kritika e recensione. Në këtë libër sillen analiza, shpjegime dhe tëhollime me interes për gjuhësinë shqiptare, sepse ka shumë risi të identifikuara drejtpërdrejt në terren. Prandaj titulli i kësaj përmbledhjeje është “Perla gjuhësore”, që aludon pikërisht këto copëza të vogla, por të rëndësishme të nxjerra nga thellësia e detit (terreni).
Promotori i librit, profesori universitar Haki Ymeri, vlerësoi me nota të larta librin, duke theksuar se vepra në fjalë është hulumtim shkencor serioz me prurje në albanologji, e cila është realizuar si rezultat i një pune të gjatë.
“Punimi i Ajtenes është i mirë pasi që nuk është bërë për 1 muaj 2, apo 3-4, por me vite të tëra, vazhdimisht duke prezantuar nëpër simpoziume të ndryshme. Të gjitha punimet që i ka mbledhur në këtë botim me të vërtetë janë perla. Mund të konstatoj se vepra në fjalë përmban hulumtime shkencore serioze me prurje në albanologji”, vlerësoi profesori Ymeri, i cili është në pension, por për nder të angazhimit të profesoreshës, kishte pranuar ftesën për të qenë pjesë e promovimit.
Përpara të pranishmëve, fjalim mbajti edhe recensenti i veprës, profesori universitar, Asllan Hamiti, i cili tha se ky libër dëshmon formimin e gjerë dhe të shëndoshë të autores, ndërkaq theksoi gjithashtu se i njëjti do të shërbejë si burim referimi për studiuesit e tanishëm dhe të ardhshëm.
“Vepra në fjalë përmban hulumtime shkencore serioze, me prurje të reja në fushën e albanologjisë. Duke lexuar shkrimet e saj, jo vetëm që njihemi me të vërtetat shkencore për shqipen, por ato do të shërbejnë edhe si burim referimi për studiuesit e tanishëm e për brezat që do të vijnë. Teksti përshkohet nga një stil shkencor, e një shqipe standarde të kulluar. Një punë e tillë, dëshmon formimin e gjerë e të shëndoshë teorik, praktik dhe metodologjik të autores”, tha profesori Hamiti, duke falënderuar profesoreshën Ajten për veprimtarinë e frytshme që e jep në edukimin dhe arsimimin e gjeneratave, në studimet albanologjike si dhe në përparimin dhe qytetërimin e përgjithshëm të popullit shqiptar.
Fjalë miradije dhe falënderim për ndihmën që i jep kulturës shqiptare, i shprehu edhe drejtori i Shtëpisë së Kulturës Koço Racin, i cili tha: “profesoreshën kam pasur nderin ta njoh që para 6 viteve dhe prej atëherë kemi bashkëpunuar dhe na ka ndihmuar shumë për të realizuar projektet kulturore shqiptare. Profesoresha është punëtore e vyer dhe një vepër si kjo do të na shërbejë të gjithëve”.
Sfida dhe dashuri për “perlat”
“Dashuria është reciproke, reflektohet, pra është e dyanshme. Nëse mbjell dashuri padyshim që do të korrësh dashuri dhe e di që në këtë sallë ndihem aq e rehatshme, aq e lumtur, sepse e di që të gjithë ju që jeni këtu vërtet më doni dhe vërtetë ju dua”, me këto fjalë, autorja i përshëndeti dhe falënderoi të pranishmit që e zbukuruan dhe madhëruan promovimin e botimit të saj.
“Këtë libër së pari desha ta titulloj Dromca gjuhësore, për shkak të modestisë dhe për të aluduar kontributin e vogël, megjithatë mora kritika nga miqtë e mi të cilët më thanë mjaft e shkele veten, jepja meritën që e ka ky libër. Atëherë thashë përsëri do të qëndroj te modestia ime, do ta emërtoj perlë, sepse perlat janë gjëra shumë të vogla, por në anën tjetër janë gjëra shumë të vlefshme. Por jo vetëm kjo, puna është edhe te vështirësia, për të arritur deri te perlat, meqë e dimë se duhet të zhytemi thellë nëpër detëra dhe oqeane dhe me shumë vështirësi për t’i nxjerrë ato. Këto vështirësi i kam hasur unë gjatë gjithë këtyre viteve, jo vetëm gjatë hulumtimit, meqë një pjesë e madhe e punimeve kanë qenë nga terreni, pastaj punë krahasimi, analize dhe mbi të gjitha më është dashur ndonjëherë të bie ndesh me arritjet gjuhësore të deritanishme dhe për të thënë ndryshe nga ajo që është thënë deri më tani. Për të marrë këtë guxim të duhen fakte dhe unë jam përpjekur të nxjerr këto fakte. Gjatë jetës sonë kemi shumë vështirësi, sidomos për gjininë femërore, sepse për të qenë edhe prind, edhe familjar, edhe mësimdhënës, edhe shkencëtar, është vërtetë sfidë dhe vështirësi e madhe. Edhe unë për t’i nxjerrë këto perla dhe të gjitha arritjet e mia e për të qenë sot kjo që jam para jush, kam përjetuar dhe përballuar stuhira të ndryshme, por barkën time nuk e ka shembur asnjë stuhi”, tha përpara të pranishmëve profesoresha./ KultPlus.com