26 Shtator, 2018 - 9:58 am
Raporti “Kriza në Akademi” duket se është futur thellë në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës duke e analizuar këtë institucion të rëndësishëm.
Raporti i realizuar nga Shkelzen Gashi, i cili u është shpërndarë edhe medieve, tregon rreth ASHAK-ut dhe mbarëvajtjes së punëve brenda këtij institucioni.
Që nga viti 2007, sipas raportit, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës, AShAK-u ka marrë nga buxheti shtetëror gati 10 milionë euro. Në gjashtë vitet e fundit, buxheti i AShAK-ut ka qenë pak mbi 1 milion euro në vit dhe rreth 2/3 e buxhetit vjetor gjatë këtyre viteve kanë shkuar në paga dhe mëditje.
Viti 2007 406, 724 €
Viti 2008 449, 371 €
Viti 2009 423, 772 €
Viti 2010 449, 371 €
Viti 2011 437, 151 €
Viti 2012 804, 017 €
Viti 2013 1, 040, 700 €
Viti 2014 1, 149, 170 €
Viti 2015 1, 145, 644 €
Viti 2016 1, 142, 501 €
Viti 2017 1, 094, 851 €
Viti 2018 1, 113, 425 €
TOTAL: 9, 666, 697 €
Për më shumë, honoraret për bashkëpunëtorët e jashtëm të AShAK-ut janë minimale, kurse honoraret për anëtarët e brendshëm – të rregullt e korrespodentë – janë të përmuajshme dhe të majme. AShAK-u nuk i publikon raportet financiare në faqen e vet zyrtare të internetit. Përgjegjësja për Financa në AShAK nuk pranoi të intervistohej.
Sipas këtij raporti, edhe pse do të duhej që Akademia të publikonte në faqen e saj zyrtare raportet financiare, kjo gjë nuk ndodhë dhe përgjegjësja për financa nuk ka pranuar të intervistohej në lidhje me këtë çështje.
Në kuadër të projektit “Vlerësim i shoqërisë civile dhe dialog publik për insitucionet e ‘heshtura’ të Kosovës të financuara nga fondet publike” Organizata Integra ka publikuar raportin “KRIZA NË AKADEMI: Vlerësim i Shoqërisë Civile për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës”, që është produkt i hulumtimit të realizuar nga Shkelzen Gashi. / KultPlus.com