14 Nëntor, 2019 - 11:00 pm
Në ceremoninë jubilare të 75-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë, Akademia e Shkencave dhe studiues të huaj kanë sjellë për publikun shqiptar fakte dhe dokumente të shumta në lidhje me çlirimin e vendit. Prej akademikëve u kërkua që të vijohen studimet për çlirimin.
Dokumente dhe fakte të reja ka sjellë Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe studiues të huaj në kuadër të kremtimeve jubilare kombëtare për 75 vjetorin e çlirimit të vendit.
Në nisje të kësaj ceremonie, me rëndësi theksojnë akademikët, është paraqitja e të gjitha fakteve në lidhje me Luftën e Dytë Botërore dhe luftën e shqiptarëve pa ndikimin e politikës.
Në fjalën përshëndetëse, kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, premtoi se faktet për çlirimin e Shqipërisë nuk do të mbeten vetëm më botimet e kësaj ceremonie jubilare, por do të thellohen.
Historianë të huaj dhe shqiptarë kanë sjellë për publikun vendas botime me përmbledhje të fakteve të shumta për Luftën Antifashiste Shqiptare duke nxjerrë në dritë të vërtetën. /KultPlus.com