24 Maj, 2021 - 6:25 pm
Akademia e Shkencave në kuadrin e aktiviteteve të përbashkëta me Universitetin e Vlorës ka promovuar sot librin “Njerëz me dritë” të Lefter Çipës.
Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi në fjalën përshëndetëse në përurimin e librit dhe fondit arkivor të Lefter Çipës përgëzoi personalisht rektorin Roland Zisi për nismën e krijimit të fondeve dorëshkrimorë pranë bibliotekës së institucionit.
Duke iu referuar përvojës së Akademisë së Shkencave, që si ent botues, vazhdimisht mbledh e koleksionon dorëshkrime e daktiloshkrime veprash të pabotuara, akad. Gjinushi, tha se “bashkë me shumë epërsi të njohura, numerizimi i dokumenteve ka sjellë edhe pasoja që mund të ndikojnë për keq në besueshmërinë e tyre. Dikur thuhej verba volant, scripta manent: fjala fluturon, e shkruara mbetet. Por në rastin e dokumentit të numerizuar jo vetëm fjala, por edhe e shkruara, për pak mungesë kujdesi, fluturon dhe ikën”.
Më tej akad. Gjinushi foli për rolin e Lefter Çipës si autor tekstesh të këngëve popullore, si organizator e drejtues grupesh folklorike, si poet e njeri me karakter të fortë dhe për emrin e tij si një mjeshtër i polifonisë, i harmonisë dhe thellësisë së saj dhe si mjeshtër i risive.
Akad. Gjinushi e vlerësoi Lefter Çipën si një personalitet të rrallë e krijues që përsosi artin e krijimit dhe tha se studentët dhe profesorë të Universitetit, të folklorit, etnologjisë, letërsisë, etnomuzikologjisë dhe të degëve të tjera, do të gjejnë në këtë arkiv laboratorin e krijuesit popullor e qytetar.
Paraqitja e botimit u bë nga prof. Bardhosh Gaçe dhe akad. Shaban Sinani, sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave.
Akad. Sinani tha se në një histori të ardhshme të letërsisë shqipe, emra të tillë si Lefter Çipa, Dhori Qiriazi, Ndoc Gjetja, Hamit Aliaj dhe shumë të tjerë, që krijuan me frymëzim të vetvetishëm, pa e vrarë shumë mendjen nëse arti i tyre do t’u shfaqej me emrin vetjak apo me atë të popullit, do të kenë një vend të veçantë.
Libri “Njerëz me dritë” i Lefter Çipës është libër që i kushtohet familjes së artit dhe poezisë poezisë së tij. Është një histori e shkruar nga një njeri krenar, që i njeh një nga një hierarkët e letërsisë në kryeqytet, shtrohet në sofrën e begatë të krijimtarisë bashkë me ta, hyn në zyrat dhe shtëpitë e tyre, brendësohet aq shumë sa të bëhet zot i dollisë në tryezën e mikut. Është një libër që të çon tek pyetja nëse Lefter Çipa i takon më shumë Vlorës e Labërisë apo kryeqytetit.
“Njerëz me dritë” është libër dëshmie se sa shumë i ka dashur e çmuar Lefteri miqtë e tij të lartë, me paraqitje si kontë Parisi, siç i sheh ai Shuteriqin e Dritëronë në një prej njohjeve të para me ta”, tha akad. Sinani dhe theksoi seky libër është një testament dashurie dhe njëherësh një jetë autori dëshmuar përmes lidhjeve me njerëzit e urdhrit të artit. /atsh/ KultPlus.com