Akademia e Shkencave të Shqipërisë vjen me tri vepra madhore albanologjike

24 Shkurt, 2021 - 2:53 pm

Akademia e Shkencave e Shqipërisë po vijon punën për hartimin e tri veprave madhore albanologjike: Enciklopedia shqiptare, Fjalori i madh i shqipes dhe Historia e shqiptarëve.

Në kuadër të projektit madhor të hartimit të këtyre tri veprave, që përbën një nga drejtimet kryesore të punës së Akademisë së Shkencave për vitin 2021, e në vazhdim, u organizua edhe një takim me kreun e ASH-së, Skënder Gjinushi për përcaktimin e hapave të mëtejshëm për ngritjen e strukturave kryesore e atyre ndihmëse për hartimin e këtyre veprave madhore.

Të pranishëm ishin anëtarët e këshillit: prof. Emil Lafe, akad. Ilirjan Malollari, akad.Jani Thomai, prof. Valter Memishaj, akad. Pëllumb Xhufi, prof. Neritan Ceka, akad. Dhimitër Haxhimihali dhe drejtori ekzekutiv i QBAE prof. Irakli Koçollari.

Ndërsa janë hartuar preventivat orientuese e platformat paraprake në bashkëpunim me përfaqësues të ASA-s, me anëtarë të Asamblesë e të komisioneve e në konsultim me ASHAK-un, si dhe është konfirmuar miratimi i tyre në parim, në takimin e kësaj të hëne u diskutua listimi i tërë stafeve të studiuesve të veprave përkatëse, me synimin që të përgatiten listat e plota të atyre që do të merren me hartimin e tyre.

Për të tria veprat u diskutuan format e bashkëpunimit me institucionet e tjera, nevojat për infrastrukturë e personel ndihmës.

Hartimi i Historisë së shqiptarëve u vlerësua që mund të fillojë punë shumë shpejt e të realizohet në kohën e parashikuar, duke u theksuar se ka mjaft të dhëna, prova e dokumente të reja që e bëjnë të domosdoshme shkrimin e saj.

Puna me Fjalorin e madh të shqipes do të nisë së shpejti. Në këtë vepër do të ketë mbi 100.000 zëra leksikografikë (mbi 90.000 fjalë dhe mbi 10.000 njësi frazeologjike).

Puna e studiuesve synon që të pasqyrojë sa më gjerë leksikun e shqipes me të gjithë përbërësit e tij: fjalë, kuptime, nuanca mbishtresore, lidhje sintagmatike të lira e frazeologjike, lidhje paradigmatike, të dhëna gramatikore, stilistike e të përdorimit, shënime plotësuese dhe etimologjike etj.

Në aspektin kombëtar Fjalori do të bëhet shprehësi më i plotë i pasurisë, i larmisë, i forcës dhe i bukurisë së gjuhës shqipe, i mundësive që jep ajo për të gjitha fushat e veprimtarisë e të krijimtarisë.

Enciklopedia shqiptare që përbën ndërmarrjen më të vështirë e më voluminoze, përfundimisht vlerësohet të realizohet në dhjetë vëllime e në një kohë sa më të shkurtër, për pesë vjet.

Në takim, për të tria veprat u diskutua edhe bashkëpunimi i ngushtë me ASHA-n në Kosovë dhe Institutin Albanologjik në Prishtinë dhe më pas u dhanë udhëzime për ngritjen e ambienteve të reja të punës për Qendrën e Botimeve  Albanologjike dhe Enciklopedike.

Marrja prej Akademisë së Shkencave, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës e rolit organizator e financues në hartimin e tri projekteve madhore shqiptare; Enciklopedisë shqiptare, Fjalorit të madh të gjuhës shqipe e të Kuvendit të Albanologjisë në nëntor të këtij viti realizon një prej objektivave kryesorë të reformës së këtij institucioni, atë kryerjes prej ASH-së të rolit strategjik në zhvillimin cilësor të shkencave albanologjike. /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme