10 Maj, 2024 - 7:30 pm
Akademia e Shkencave kujtoi dhe nderoi sot, me një veprimtari përmbyllëse në kuadër të 100-vjetorit të lindjes, shkrimtarin dhe studiuesin Jakov Xoxa.
Në këtë kuadër, sot në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave u shfaq premiera e dokumentarit “Jakov Xoxës, në 100-vjetorin e lindjes”, me regji të Ylli Pepos; u paraqit libri “Jakov Xoxa, shkrimtari dhe studiuesi”, botim i ri i Akademisë së Shkencave, akte të konferencës së organizuar vitin e kaluar, me pjesëmarrjen e studiuesve të letërsisë bashkëkohore nga gjithë rrjeti i universiteteve shqiptare. Gjithashtu u paraqit edhe libri me kujtime i Dhurata Xoxës: “Unë dhe Jakovi”.
Veprimtaria u drejtua nga aktori Mevlan Shanaj. Për paraqitjen e librit të akteve të konferencës shkencore foli akad. Shaban Sinani, përkujdesës i botimit, së bashku me dr. Brunilda Priftin. Libri përmban 17 referime dhe 3 përshëndetje.
Veprimtaritë për 100-vjetorin e Jakov Xoxës u hapën në prillin e vjetshëm, me dhënien për herë të parë të çmimit që mban emrin e tij gjatë panairit të librit akademik dhe shkencor në Prishtinë. Në këtë kuadër, me bashkëpunimin e Fondacionit “Fan S. Noli”, u bë ribotimi fototipik i librit më të rëndësishëm shkencor të Jakov Xoxës, “Hyrje në shkencën e letërsisë” (një prej tre teksteve universitare të tij), i ribotuar tri herë në Tiranë, dy herë në Prishtinë dhe një herë në Tetovë, më pas padrejtësisht i lënë mënjanë.
Me këto botime dhe me konferencën shkencore, tha Sinani, u rikonfirmua vendi i rëndësishëm i letërsisë së Jakov Xoxës në historinë e letërsisë së re shqipe, si një autor i pangjashëm në jetë e i pangjashëm në vepër. Ai theksoi se dukuria e vetëlargimit, që përbën një nyjë kthese të jetës së Jakov Xoxës, është rast më vete dhe nuk është studiuar ende. Jubileu shërbeu gjithashtu edhe për të adresuar tek kërkuesit e rinj teza e mikroteza studimore nivelesh të ndryshme, prej identifikimit gjuhësor të karaktereve deri tek ikja e kujdesshme nga realizmi socialist drejt realizmit.
Për rëndësinë që pati nisma e Akademisë së Shkencave për nderimin e 100-vjetorit të Jakov Xoxës dhe për bashkëpunimin e disa institucioneve të tjera në këtë kuadër foli gjithashtu Agron Xoxa, djali i shkrimtarit. Libri “Jakovi dhe unë” u prezantua nga Valentina Leskaj, njëherësh edhe mike dhe kolege e autores Dhurata Xoxa.
Çmimi “Jakov Xoxa” do të jetë i përvitshëm./ KultPlus.com