28 Gusht, 2018 - 7:47 pm
Anëtari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, i cili ka lindur në Luginën e Preshevës, Rexhep Ismajli, thotë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e ndalon çfarëdo copëtimi të territorit të Kosovës apo shkëmbimi të territorit të shtetit me ndonjë shtet tjetër. Në një përgjigje me shkrim për Gazetën Express, Ismajli potencon se ideja e shkëmbimit të territoreve është jashtëzakonisht e rrezikshme për Kosovën dhe për të ardhmen e vendit. Deklarimet e SHBA-ve rreth shkëmbimit të territoreve, akademik Ismajli thotë se duhet ta zgjojnë nga gjumi Kosovën.
Rexhep Ismajli konsideron se është krijuar një mjegull totale edhe sa i përket idesë për shkëmbimin e territoreve, duke e lënë në mjegull atë se kush, çfarë po shkëmben.
“Nuk e kam shumë të qartë se ç’domethënë ‘shkëmbim i territoreve’ konkretisht, sepse kjo nuk është elaboruar askund. Çka po shkëmbejmë: një diçka ‘të tyre’ me një diçka ‘tonën’? Kush po shkëmben? A janë të barabartë shkëmbyesit? A e njohin njëri tjetrin si të tillë? Nga ajo që po shohim në mjetet e informimit, sepse vetëm ato kemi në dispozicion, ka një kakofoni të përgjithshme lidhur me të gjitha çështjet që janë hedhur ‘në diskutim’. Për të pasur një qëndrim ne si opinion do të duhej të kishim qoftë edhe vetëm një mendim të formësuar nga një instancë e shtetit tonë (pra, një qendër për strategji, një instancë qeveritare, etj.). Hëpërhë kemi Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila ndalon shprehimisht çdo ndarje të territorit të Republikës së Kosovës, çdo dhënie të një pjese për bashkim me shtet tjetër dhe çdo marrje të një territori të një shteti tjetër për ta bashkuar me tonin. Si qytetarë kemi këtë bazë, që mbrohet dhe nga instancat ligjore”, ka thënë ai për Gazetën Express.
Ai ngre shqetësime rreth asaj se si do të ndodh një shkëmbim i mundshëm i territoreve, duke shtuar se nëse nuk do të shkëmbehej Lugina e Preshevës si një tërësi atëherë do të ndodhte një ndarje e mëtejme që do të paralizonte Medvegjën dhe Bujanocin.
Deklarata e SHBA-ve se ata nuk do të ndërhyjnë në rast të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për shkëmbim territoresh, shihet me mjaft shqetësim nga Islamaj dhe thotë se kjo gjë duhet ta këndell Kosovën nga gjumi.
“Për qëndrimet dhe deklaratat e zyrtarëve të ndryshëm ne po informohemi vetëm pjesërisht, aq sa po na serviret. SHBA është shteti më i rëndësishëm dhe ndër të parët fare që e ka njohur Republikën e Kosovës (për më tepër, e ka ndihmuar rritjen dhe pavarësimin e saj), dhe e ka njohur në kufijtë që ka ajo sot. Dhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë është detyrë e jona që t’u japim miqve mundësinë që të na mbështesin edhe më tej. Deklaratat që po përmendni duhet të na shpërgjumin në punën tonë. Nuk po shohim veprimtari koherente, të organizuara të subjekteve politike që sundojnë skenën tek ne, sado që ato subjekte duhet të jenë shumë më të informuara se ne si qytetarë për gjendjen, prapavijat dhe lojërat që ushqejnë ‘pazaret’, siç po thuhet në opinion”, ka përfunduar ai.