20 Prill, 2022 - 11:15 pm
Akademiku Vasil Tole e cilësoi një mundësi unike, panairin e parë kushtuar librit akademik dhe shkencor, që do të zhvillohet nga 22-24 prill në Tiranë.
Ky panair zhvillohet në kuadër të vitit të akademizmit shqiptar, shpallur në nderim të 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si nismë e përbashkët e saj dhe e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Tole tha se “është një mundësi unike, për të bërë bashkë autorët, botimet institucionet e kërkimit që merren me botimet dhe studimet dhe mbi të gjitha publikun e gjerë që së bashku të çmojmë rëndësinë që kanë studiuesit, autorët, shkenca për një shoqëri moderne”.
Ndërsa drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli tha se “për herë të parë në akademinë e shkencave do të kemi një histori të shkencës, dhe mendimit shqip, përmes botimeve më të mira të botuara në vite nga akademikët, studiuesit, profesorët shqiptarë, pasi duke u mbështetur fort tek shkenca ne do të kemi një shoqëri dhe një komb më të mirë nesër. Ashtu siç besonte dhe rilindasi ynë i madh Naim Frashëri: “Vetëm drita e diturisë përpara do na shpjerë””.
Panairi mbarëkombëtar i librit akademik dhe shkencor ka për qëllim të bëjë të njohura arritjet më cilësore në botimet akademike, shkencore dhe universitare në gjithë hapësirën shqiptare, duke synuar një prani përfaqësuese sa më të gjerë.
Krahasuar me letërsinë dhe artet, nga vetë natyra e tij, libri akademik dhe shkencor e ka më të vështirë rrugën për të mbërritur tek lexuesi. Kjo është një nga arsyet pse duhet të ketë një panair të dedikuar për të, me qëllim që libri shkencor dhe akademik t’i afrohet lexuesit të vet dhe të lehtësohet komunikimi mes tyre.
Panairi i librit akademik dhe shkencor do të ketë gjithashtu dhe karakter promovues e manifestues, sepse do të mundësojë pranë vendosjen në sasi dhe cilësi të botimeve shkencore dhe të autorëve të tyre nga gjithë hapësira shqiptare, duke synuar që në një të ardhme të jenë të pranishme edhe botimet nga qendrat albanologjike në botë.
Krahas botimeve prej institucioneve akademike dhe universitare, do të kenë vendin e tyre të merituar edhe botimet cilësore nga ente jopublike. Organizuesit duan që përmes panairit të ndikojmë për të krijuar një rrjet kombëtar të botuesve të librit shkencor, para së gjithashtu të universiteteve dhe institucioneve të tjera të specializuara; rrjet që do të lehtësojë marrjen e informacionit dhe më tej shkëmbimet, sidomos të periodikëve shkencorë, që tani për tani mbeten brenda institucioneve që i botojnë.
Ky panair i parë do të jetë një faktor tjetër nxitës për të përuruar arritjet e përvitshme në këtë fushë.
Vendi i zhvillimit të këtij panairi do të alternohet: një vit në Tiranë e një vit në Prishtinë, me periodicitet të rregullt. Panairi organizohet nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare e Librit dhe Leximit. / KultPlus.com