Akadhimia

24 Tetor, 2024 - 6:24 pm

Ag Apolloni

E shikova “Pasqyrën e propozimeve për zgjedhjen e anëtarëve korrespondentë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës”.

Lista ishte, përgjithësisht, skandaloze. Derisa e shihja, pyesja veten: si ka mundësi që nga të gjitha departamentet e Fakultetit të Filologjisë, ka kandidatë, vetëm nga Departamenti i Letërsisë Shqipe mungojnë? A është kjo edhe një dëshmi që çon ujë në mullirin e atyre që thonë se po s’pati profesorë të LDK-së, s’mund të ketë as kandidatë për ASHAK? E, për fatin e mirë të tyre, të gjithë profesorët e kësaj partie janë anëtarësuar në Akademi, kurse disa të rinj që janë aty ende s’e kanë arritur moshën e kandidaturës. (S’ka gjë që e komprometon më shumë këtë parti sesa ky institucion, prandaj nëse ndonjëherë duan të pastrohen, duhen t’ia nisin nga aty. Një qëndrim autokritik, është jetik për të).

A e dini që në Akademi kemi historianë idiotë, shkencëtarë sharlatanë, ekspertë të shakasë dhe foreve, artistë që s’i njeh as mahalla e tyre?

A e dini që ata që s’njihen kurrkund, përveç në parti, bëhen akademikë, kurse ata që njihen në botë, s’do të bëhen kurrë?

Para disa vitesh pata treguar dy shembuj: njërin, që as Putini s’i kishte lejuar anëtarët e partisë të bëhen akademikë; tjetrin, që një shtet në Ballkan, pasi e kishte anëtarësuar krejt llumin në Akademi, ishte kujtuar ta thërriste edhe poetin e vet më të njohur. Ai, poeti, duke pasur neveri nga ai batak “intelektualësh”, nuk kishte pranuar, dhe, pas pak vitesh kishte marrë një thirrje nga një Akademi tjetër për t’ia uruar marrjen e çmimit Nobel.

Meqenëse shumica në ASHAK janë aty pa kredite shkencore e artistike, mund të them se më të mirët e shkencës dhe artit i gjeni jashtë Akademisë.

Në gjuhën greke, Akademisë i thonë Akadhimia. Ndoshta edhe ne ashtu duhet t’i themi. A po e shihni që ambasadorja amerikane, zonja Jacobson, ka pasë të drejtë kur na pati porositur: “Mos e dhini punën!”/KultPlus.com

Të ngjajshme