20 Dhjetor, 2021 - 2:32 pm
Qendra PEN e Shqipërisë dhe Qendra PEN e Kosovës, në kuadër të 100 – vjetorit të PEN International , (Organizata Ndëkombëtare e Poetëve, Eseistëve dhe Prozatorëve), me seli në Londër, zhvilluan agjendën e veprimtarive të përbashkëta në Bibliotekën Publike “Gjergj Fishta” të qytetit të Lezhës.
Z. Pjerin Ndreu , Kryetar i Bashkisë Lezhë, në fjalën e mirëseardhjes për shkrimtarët e Kosovës dhe Shqipërisë, falënderoi Qendrat PEN të dy shteteve, për praninë e tyre në Lezhë, duke theksuar rëndësinë e këtij rajoni dhe qyteti si një qendër përfaqësuese identitare, për trashëgiminë historike dhe kulturore të shqiptarëve.
Presidenti i PEN për Kosovën, z. Binak Kelmendi, në fjalën e tij përshëndetëse falënderoi autoritetet vendore për mikpritjen e veprimtarisë së PEN-eve, si edhe për vizionin e tyre për zhvillimin e qytetit dhe rajonit në fushën e turizimit, kulturës, dhe trashëgimisë kulturore për shqiptarët dhe më gjerë.
Znj. Entela Kasi, Presidente e PEN-it në Shqipëri, në fjalën e saj solli në vëmendjen e shkrimtarëve rëndësinë e PEN International në arenën ndërkombëtare, dhe theksoi parimet mbi të cilat është themeluar kjo Organizatë në Londër, në vitin 1921, prej autoriteteve të letërsisë botërore dhe intelektualëve të kohës. Çështjet e lirisë dhe të dinjitetit njerëzor, janë dhe mbeten shtylla të njerëzimit në të gjitha kohët. Letërsia dhe punët e artit janë pasuri për njerëzimin, pavarësisht kufijve, gjuhëve, racave dhe etnive.
Poeti dhe publicisti i njohur nga Afganistani, tashmë rezident në Shëngjin, Mujib Mehrdad, anëtar i Bordit të PEN Afganistanit, fitues i disa çmimeve prestigjioze për letërsi në botë, në fjalën e tij publike për mediet dhe të pranishmit duke bërë një përmbledhje të kohëve më të vështira që po përjeton aktualisht populli dhe vendi i tij, falënderoi shqiptarët, autoritetet shtetërore dhe vendore për faktin që në Shqipëri ndjehen jo vetëm të shpëtuar, por edhe të integruar. Qendrat PEN të Shqipërisë dhe Kosovës, nderuan Kryetarin e Bashkisë së Lezhës, z. Pjerin Ndreu, me Certifikatën e Mirënjohjes PEN, për kontribute të çmuara për promovimin e gjuhës, letërsisë dhe trashëgimisë kulturore të shqiptarëve në botë. Motivacioni i këtij vlerësimi u lexua nga Flamur Shala. Përgjatë ditës të sotme u përkujtuan përkujtuan poetët, Fatos Arapi dhe Basri Çapriqi, për të cilët referuan Milazim Krasniqi , Ibrahim Berisha, Ben Andoni dhe Entela Kasi. Në kuadër të bashkëpunimit për vitin 2022, midis dy Qendrave PEN, folën Sali Bashota dhe Ben Andoni.
Në përmbylljen e aktiviteteve dy ditore të Qendrave PEN, shkrimtarët Ibrahim Kadriu, Binak Kelmendi, Ibrahim Berisha, Ahmet Prençi, Milazim Krasniqi, Sali Bashota, Mujib Mehrdad, Arben Çejku, Osman Gashi, Flamur Shala etj., lexuan nga krijimtaria e tyre në poezi dhe prozë. Moderimi i të gjitha aktiviteteve të mbajtura në Tiranë dhe Lezhë nga Qendrat PEN, u realizua nga shkrimtari Liridon Mulaj./KultPlus.com