17 Mars, 2018 - 11:18 am
Qendra Multimedia në Prishtinë do të sjellë diskutimin e radhës që ka të bëjë me temën “Shfrytëzimi i hapësirës publike kundrejt mobilizimit të komunitetit”.
Për të diskutuar për këtë temë Qendra Multimedia ka ftuar shkrimtaren Aleksandra Savanovic, filozofin Srecko Horvat dhe politikanin e aktivistin Albin Kurtin. Ky diskutim do të moderohet nga Una Hajdari, shkruan KultPlus.
Diskutimi do të shfaqë edhe problemet që ekzistojnë e që kanë lidhshmëri me hapësirën publike, por njëkohësisht edhe diskutimin mbi mobilizim e qytetarëve pikërisht për këtë hapësirë.
“Për vite me radhë ristrukturimi i shfrenuar nëpër qytete dhe sundimi i lirë i investitorëve privat në shumicën e qendrave në rajon, me pak apo aspak shqetësim për qytetarët ka dërguar në erozionin dhe komodifikimin e hapësirës publike”, shkruhet në njoftimin e diskutimit.
Shkrimtarja rezidente e Qendrës Multimedia, Aleksandra Savanovic, do të lexojë pjesë nga shkrimet e saj për këtë çështje, duke u fokusuar mbi atë që po ndodhë në Beograd. Kjo do të ndiqet pastaj me një diskutim nga paneli duke u fokusuar në temën e mobilizimit për të parandaluar shfrytëzimin e mirë e të keq të hapësirave publike, duke kërkuar ndryshim të politikave urbane, dhe sesi reagimet ndaj nevojave lokale kanë frymëzuar lëvizje anembanë botës.
Diskutimi do të fillojë në ora 18:00, më 19 mars në Qendrën Multimedia. Diskutimi do të zhvillohet në gjuhën angleze. / KultPlus.com