7 Qershor, 2018 - 7:36 pm
Në Pallatin e Rinisë po vazhdon të mbahet Panairi i 20-të i librit, duke mbledhur shumë vizitorë rreth vetes. Në mesin e tyre sot ishte edhe Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, shkruan KultPlus.
Ai ka treguar se vizita e tij tashmë është e përvitshme dhe se është shpresdhenës fakti se sa shumë qytetarë të të gjitha moshave, vërshojnë në panair për të zgjedhur mes qindra titujsh, nga shtëpi të shumta botuese.
“Jo çdo libër ka vlerë, ama libri i mirë është skulptori më i talentuar i mendjes së njeriut, pas mësuesit kuptohet, sepse duhet një mësues për të të mësuar se nga t’ia fillosh. Më të rinjtë ndonjëherë mund të pyesin se pse duhet të lexojmë, pse të thellohemi në dije, kur shumë nga njerëzit që falë medias e rrjeteve sociale shiten si “të suksesshëm”, nuk janë të ditur, por thjesht të pasur. Vërtet, industria e spektaklit pasuron shpesh njerëz për shkak të atributeve e talenteve fizike, e industria e medias shpesh i bën jehonë provokimit që rrjedh prej arrogancës e injorancës. Megjithatë, rruga e vetme për përparimin e qenies dhe të shoqërisë njerëzore, është dija. E kjo rrugë e përpjetë që duhet të ngjisë mendja, është e shtruar me libra”, shkruhet në postimin e Kurtit./ KultPlus.com