25 Korrik, 2020 - 5:25 pm
Bujar Meholli
Albulena Uka është një emër mjaft premtues në fushën e jurisprudencës. Studentja kosovare studimet e saj i filloi në Fakultetin Juridik pranë Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, të cilat arriti t’i përfundojë me sukses të lartë pas përkushtimit të madh. Duke qenë e prirur të punojë fort në këtë fushë, mundi i saj u shpërblye kur arriti të fitojë bursë e më pas edhe ta prezantojë UMIB-në në Universitetin e Harvardit. Tutje, ajo mori pjesë nëpër gara, konferenca e kongrese, nga të cilat doli me mirënjohje për performancat e saj.
Në Kosovë, Uka u angazhua gjatë kohës së studimeve edhe në praktika të ndryshme nëpër institucione qeveritare dhe gjyqësore si në Gjykatën themelore dhe atë Kushtetuese. Më pas ajo vijoi studimet Master në Universitetin prestigjioz të Ghentit në Belgjikë. Në këtë intervistë ekskluzive për KultPlus, Uka rrëfen përvojat gjatë studimeve në Belgjikë, angazhimet e saj për të drejtat e të rinjve kosovarë, takimin me Deputeten gjermane në Parlamentin Evropian Viola von Cramon me të cilën bisedoi për pengesat që iu sjell të rinjve kosovarë mos liberalizimi i vizave në aktivitetet edukative, kulturore e arsimore, si dhe planet që ka në të ardhmen.
1. KultPlus: Si vendosët t’i filloni studimet në fushën e jurisprudencës?
Drejtësia ka qenë përherë një fushë që e kam pëlqyer dhe admiruar por vendimin përfundimtar për të studiuar drejtësisë e bazova në këshillat e motrës time, Albanës, njëherit profesoreshë në Universitetin e Prishtinës, e cila më bindi që ky profesion i përshtatet më së miri personalitetit tim.
2. KultPlus: Çfarë roli ka luajtur Universiteti i Mitrovicës në zhvillimin e karrierës suaj profesionale?
Studimet bachelor i kam përfunduar pranë Universitetit të Mitrovicës dhe me të vërtetë aty kam filluar hapat e parë akademik e profesional në fushën juridike. Për mua ka qenë një periudhë tejet e vlefshme dhe rëndësishme që më ka pajisur me njohuritë fundamentale të drejtësisë duke m’i hapur dyert për të vazhduar suksesshëm më tutje.
3. KultPlus: Duke qenë se e keni prezantuar UMIB-në në Universitetin e Harvardit, çfarë mund të ndani nga kjo përvojë për lexuesit dhe konkretisht si e keni prezantuar UMIB-në atje?
Universiteti i Harvardit ka organizuar një garë ku kanë marrë më shumë se 2000 pjesëmarrës nga e tërë bota me qëllimin të gjenden zgjidhje për problemet aktuale në botë të cilat diskutohen në institucionet e Kombeve të Bashkuara dhe unë kam pasur nderin të përfaqësoj Universitetin e Mitrovicës. Të jesh në mesin e studentëve që vinin nga Universitet më të mira të botës ka qenë një motivim shumë i fuqishëm që të arrij ta përfaqësoj Universitetin tim më së miri por po ashtu për të dëshmuar që studentët e Kosovës mund të garojnë përballë studentëve tjerë dhe të dëshmojnë sukses.
4. KultPlus: Gjatë aktiviteteve që keni pasur, mes tjerash jeni angazhuar për të drejtat e të rinjve shqiptarë në OKB. Mund të na tregoni si e keni bërë këtë?
Po, në janar të këtij viti jam ftuar në takimin e mbajtur në Selinë e Kombeve të Bashkuara në New York të Shteteve te Bashkuara të Amerikës. Në këtë takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, z. António Guterres dhe të rinjtë liderë nga e mbarë bota janë theksuar disa nga sfidat me të cilat rinia përballet në shekullin e 21-të. Këtu kam shfrytëzuar mundësinë që në këtë takim të theksoj se unë përfaqësova një të re nga Kosova e cila vjen nga një shtet që ende nuk është anëtar i Kombeve të Bashkuara, por është në krye të ekipit për organizim të një Konference për Kombet e Bashkuara, meqë unë isha Sekretare Gjenerale e Konferencës së Universitetit të Ghentit për Kombet e Bashkuara. Kur e pyeta Sekretarin Gjeneral se çfarë mendonte ai për këtë, më tha “OKB-ja shtrin qëllimet e saj në botë dhe jo vetëm në vendet anëtare”. Një përgjigje e tillë e Sekretarit Gjeneral mua më dha shpresë e optimizëm për anëtarësimin e Kosovës në OKB, që ndër të tjera do të krijonte lehtësi për të rinjtë shqiptarë për integrim e mobilizim në botë.
5. KultPlus: Në çfarë garash, konferencash e kongresesh keni marrë pjesë dhe me çfarë mirënjohjesh jeni shpërblyer?
Krahas studimeve kam qenë vazhdimisht e angazhuar edhe në gara, kongrese e konferenca të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Do të theksoja disa prej atyre ndërkombëtare: kongresin për NATO në Bukuresht, garat për të drejtën evropiane në Bruksel e Paris ku edhe jam shpërblyer me vendin e parë për performancën time. Më pastaj jam përzgjedhur e ftuar të drejtoj komitete të ndryshme si Këshillin për të Drejtat e Njeriut në Budapest, Këshillin e Bashkimit Evropian në Vjenë dhe Varshavë, Këshillin e Sigurimit në Stamboll dhe Zagreb e shumë të tjera.
6. KultPlus: Cilat janë ambiciet tua në rrafshin ndërkombëtar?
Duke filluar nga vizita ime e parë jashtë Kosovës, që ishin ShBA-të e tutje, kam mbajtur përherë pika lidhëse në nivelin ndërkombëtar të cilat tash pas studimit tim për Masterin e avancuar në Belgjikë vetëm sa janë forcuar. Mirëpo, unë qëllimin final gjithmonë e kam që njohuritë dhe praktikat e mira t’i marr nga rrafshi ndërkombëtar t’i sjelli në atë kosovar.
7. KultPlus: A ke menduar ndonjëherë të futesh në politikë dhe të kontribuosh me këto njohuri që gjer tani keni fituar?
Ajo që unë mendoj në mënyrë të vazhdueshme është se si të ndikoj në përmirësimin e jetës në Kosovë dhe në këtë drejtim edhe punoj çdo ditë. Për mua është e rëndësishme që si individ fillimisht dhe së bashku me të tjerë që kanë qëllimet e mira të fillojmë te veprojmë, secili në fushat tona dhe t’i bëjmë ndryshimet e nevojshme për të mirën e qytetarëve në Kosovë. Nuk ka dyshim se politika është një faktor shumë i rëndësishëm i cili mundëson që ndryshimet të shtyhen përpara më lehtësisht, unë besoj që thelbësore është të ekzistojë vullneti i mirë e më pas format se si do të përkthehet ai vullnet në praktikë do të gjenden, qoftë ajo politika apo edhe rrugët tjera.
8. KultPlus: Çfarë u bisedua në takimin me Deputeten e Parlamentit Evropian Viola von Cramon që e patët?
Tash së fundmi në Bruksel takova Deputeten gjermane në Parlamentin Evropian, znj. Viola von Cramon e cila njëkohësisht është edhe raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian. Me znj. Viola pata kënaqësinë të diskutoj për zhvillimet aktuale në Kosovë ngasë ajo ishte veçmas e interesuar në perspektivën time si një e re nga Kosova duke studiuar në Belgjikë, se si i perceptoj unë këto zhvillime. Diskutuam edhe për çështjen e liberalizimin të vizave për Kosovën dhe unë theksova pengesat që kjo sjellë për Kosovarët duke limituar mundësitë, sidomos të të rinjve për pjesëmarrje qoftë në aktivitete edukative e kulturore ashtu edhe për studime. Njashtu, edhe tema tjera me rëndësi nga sistemi i drejtësisë ishin pjesë e diskutimit tonë.
9. KultPlus: Studimet për programin Master i keni vazhduar në Belgjikë, gjegjësisht në Universitetin e Ghentit, ku dhe jeni diplomuar. Çfarë përvoje keni fituar gjatë kësaj kohe në Belgjikë, dhe çfarë ndikimesh kanë pasur njohuritë që keni fituar atje?
Universiteti i Ghentit është një nga universitetet më të vjetra e më prestigjioze në Belgjikë e në botë, andaj çdo ditë studimi në Universitetin e Ghentit e kam vlerësuar si një privilegj. Çdo gjë është aq e veçantë duke filluar nga ligjëratat e shkëlqyeshme të profesorëve, literatura e përdorur për studime, metodat e vlerësimit, aktivitetet në Fakultet e çdo gjë tjetër. Për më tepër, Universiteti i Ghentit mua më ka dhënë edhe shumë mundësi tjera jashtë programit të studimeve meqë për Konferencën e Universitetit të Ghentit për Kombet e Bashkuara jam përzgjedhur Sekretare Gjenerale, roli kryesor në ekipin organizativ si dhe jam anëtare e ekipit akademik për organizimin e Garës Ligjore që do të mbahet vitin e ardhshëm. Ndonëse pritshmëritë e mia për Universitetin e Ghentit kanë qenë shumë të larta që nga fillimi, Universiteti ka arritur t’i kalojë të gjitha pritshmëritë e mia.
10. KultPlus: Kur flasim për studimet e larta, si i krahasoni programet e Universiteteve kosovare me ato evropiane, në këtë rast me të Belgjikës?
Universitetet me një traditë të gjatë kanë edhe një kualitet të lartë të arsimimit të studentëve, siç është Universiteti i Ghentit. Rrjedhimisht, çdo gjë lidhur me fakultetet: programi i studimit, lëndët, profesorët, bibliotekat janë të një niveli shumë të lartë dhe cilësor në të cilin absorbimi i dijes bëhet shumë më lehtë dhe është më efektiv. Megjithatë, kur e vëmë paralelisht me Universitetet në Kosovë, unë besoj që mbetet edhe shumë punë për t’u bërë që të arrihet një nivel i përafërt me Universitetet evropiane por patjetër që me kuadro profesionale përkatëse në sistemin e arsimit për gjeneratat e ardhshme të studentëve do të ishte më se i mundur.
11. KultPlus: Cilët janë hapat që do t’i merrni në të ardhmen brenda suazave të profesionit tuaj?
Unë jam shumë e përkushtuar që si juriste të vendosi përherë drejtësinë dhe këtë ta bëj në cilindo funksion që kam apo institucion që gjendem ngase ky është parimi im themelor i punës. E kam thënë që nga fillimi dhe do vazhdoj ta mbaj fjalën time: Me drejtësi kudo, pa të askund! /KultPlus.com