Alketa Xhafa Mripa promovon ‘Vepra e saj’, një shpalosje e tregimeve unike të 100 grave pioniere shqiptare

12 Prill, 2021 - 5:30 pm

Era Berisha

Inkurajimi i përfshirjes së gruas në jetën publike dhe forcimin e statusit socioekonomik, në kohëra e realitete të zymta që nga viti 1940 e deri në vitin 1979, artistja Alketa Xhafa-Mripa i mblodhi 100 tregime të rrëfyera në librin e titulluar ‘Vepra e saj’, dhe  u promovua në librarinë Dukagjini, shkruan KultPlus.

Artisten konceptuale, tashmë jemi mësuar ta shohim me instalacione dhe ekspozita, por kësaj radhe, projekti i saj ka marrë formën e një libri, i cili vë në pah arritjet dhe ndryshimin që gratë shqiptare kanë bërë në shoqëri e në fusha të ndryshme, duke mos harruar sakrificat dhe kontributin e pazëvendësueshëm të tyre.

Edhe pse libri i autores tanimë ishte promovuar në formën online, sot, ngjarja mblodhi rreth vetes dashamirë të shumtë të artit të autores, duke sjell në vëmendje rrugëtimin e emancipimit të gruas në shoqëri, i cili jo gjithmonë ka pasur një rrugë të drejtë e pa sfida, e në veçanti për gratë shqiptare, të cilat me forcat e tyre i bëjnë ballë gjithçkaje.

Ky libër shpalos përmbajtjen e 100 grave pioniere të Kosovës, duke përmbledhur veprimtarinë e tyre me profesione nga më të ndryshmet, përfshirë këtu: aktore, regjisore, etnologe, inxhiniere, mjeke, profesoresha, farmaciste, shkrimtare, arkeologe, avokate, stomatologe e shumë tjera.

Prandaj, ky libër rrëfen histori mjaft diversive të 100 grave shqiptare, të cilat ndoshta ende nuk njihen nga fëmijët, por edhe nga të rriturit që nuk patën fatin të mësojnë për to, por që padyshim janë pjesë e rëndësishme e kulturës dhe artit shqiptar, dhe përmes këtij libri do të mbesin dëshmi edhe për gjeneratat e ardhshme.

Ideja e autores, Alketa Xhafa-Mripa, e cila është bërë zëri i tregimeve të shumta që shpalosin jetën e grave dhe përjetimet e tyre personale, ka lindur gjatë një bashkëbisedimi me vajzën e saj, Tibën 8 vjeçare, ku vitin e kaluar gjatë pushimeve verore, nënë e bijë kishin lexuar libra për gratë që kanë ndryshuar botën, e cila pasoi në pyetjen e vajzës se a ka ndonjë libër me gratë e Kosovës.

Gjatë hulumtimeve të artistes, e cila e kuptoi se nuk ekzistonte një libër i tillë për fëmijë, rezultoi që sot ky libër të jetësohet nën prezencën e madhe të të pranishmëve, të cilët patën rastin të marrin nënshkrime nga autorja për librin dhe të shkrepin fotografi me Alketën, të cilat do të mbesin një kujtim i veçantë për secilin nga ata.

Ndërsa, nën atmosferën letrare e cila po shoqërohej me prezencën e aromave të librave, të luleve shumëngjyrëshe dhe të rrezeve të diellit të cilat po depërtonin fuqishëm brenda, për të na shpalosur më shumë gjatë procesit të krijimit të librit, për KultPlus, tregon edhe vetë autorja.

“Procesi ka qenë shumë i mirë dhe shumë i lehtë për arsye se kur diçka bëhet me dashuri, nuk ka vend për sfida. Kemi pasur bashkëpunëtorë shumë të mirë, studentë dhe njerëz profesionistë, të cilët me artin e tyre dhe punën e tyre e formësuan këtë libër”, tregon Mripa.

Sipas saj, vështirësia e vetme mund të konsiderohet limitmi i 100 personazheve dhe gjetja e kontakteve të personave në libër, sepse shumica nuk janë më në mesin tonë dhe për të formësuar tregimet, në mungesë të fëmijëve të personazheve, është dashur të kontaktohet me mbesat apo edhe nipat e tyre.

Në këtë libër, që për fokus ka fëmijët dhe pasurimin e diturisë së tyre mbi këto personazhe, autorja na tregon edhe për domethënien që ky libër ka për të.

“Ka shumë domethënie të madhe, sepse një libër si ky i mungon gjeneratave të reja, prandaj, unë këtë libër dëshiroj që ta shoh në të gjitha bankat shkollore, në çantat dhe libraritë e çdonjërit prej neve. Ndonëse, mijëra gra meritojnë të jenë pjesë e këtij libri, mua më lehtëson fakti se do të ketë hapësirë më shumë në vëllimet tjera, nëpërmjet së cilave do të dëgjohet zëri i shumë grave”, shpreh Mripa.

Dituria mbi këto 100 gra shqiptare, të cilat me mundin e tyre arritën edhe majat e profesioneve të para ndonjëherë në Kosovë, është njëra ndër qëllimet kryesore të autores, e cila ishte mjaft e lumtur me interesimin e shumtë të lexuesve për këtë libër.

“Nuk kisha menduar ndonjëherë se do të ketë kaq shumë lexues, sidomos, kur pata rastin të takoj një lexues, i cili kishte blerë 7 libra, për t’iu dedikuar të tjerëve. Prandaj, e konsideroj veten me shumë fat, sepse për mua kjo është një gjë shumë e bukur kur po e shoh se ky libër po vlerësohet kaq shumë”, thotë ajo.

Teksa, buzëqeshja nuk i mungonte as edhe për një minutë të vetme, për autoren, e bukura e gjithë procesit, i cili ngërthen në vete shumë detaje unike, është se ajo vetë për herë të parë, ka mësuar për disa nga gratë për të cilat nuk kishte njohuri deri më tani, por që tani ajo po e shpërndan atë, në librin e saj.

Rëndësia e këtyre grave të cilat nuk mund të veçohen apo ndahen nga njëra-tjetra, shpalosin histori të veçanta, një iniciativë kjo që ndoshta edhe do të frymëzojë shumë autorë të tjerë që të veprojnë njëjtë.

Ndërsa, në vitin 2022 mendohet të nisë procesi i hulumtimit për tregimet e shumë grave të tjera, të cilat do të kenë mundësi të jenë pjesë e vëllimit të dytë të këtij libri, por që herën tjetër do të shitet në të gjitha libraritë në Kosovë. Ideja për librin është e Alketa Xhafa Mripës, kurse 100 rrëfimet e këtij libri i ka shkruar Alberina Haxhijaj.

Ky libër është botim i Shtëpisë Botuese ”Dukagjini” dhe mbështetet nga UN ëomen, UNKT dhe Raiffeisen Bank./KultPlus.com

Të ngjajshme