Amaneti i Musine Kokalarit

14 Gusht, 2020 - 9:38 pm

Nga: Dashnor Kaloçi

37 vite më parë, më 14 gusht të vitit 1983, ndërroi jetë në qytetin e Rrëshenit, Musine Kokalari, Doktore e Shkencave, e lauruar për Letërsi në Romë në vitin 1941, e cila pasi kish tentuar të themelonte një Parti Socialdemokrate bashkë me disa intelektualë të tjerë miq të saj, që ishin diplomuar në universitetet e Perëndimit, u burgos pak kohë pas ardhjes së komunistëve në pushtet (17 janar 1946), pasi më parë në ditët e fundit të Luftës, në nëntorin e vitit 1944-ës, komunistët i kishin pushkatuar dy vëllezërit, Vesim dhe Muntaz Kokalarin, në bodrumet e Hotelit “Bristol” në qendër të Tiranës.

Pas dënimit me 20 vjet burg politik, si “armike e popullit dhe sabotatore e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”, vuajti 18 vjet në burgun e Burrelit dhe më pas u dërgua e internuar në qytezën e Rrëshënit të rrethit të Mirditës, ku kaloi 20 vitet e fundit të jetës, duke punuar në Ndërmarrjen e Ndërtimit si punëtore llaçi e në Ndërmarrjen Komunale si fshesare e rrugëve. Për figurën e Musine Kokalarit është shkruar e folur shumë gjatë viteve 1990, sidomos pas publikimit të dosjes së saj nga ana e Autoritetit të Informimit të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit të drejtuar nga Gentiana Mara Sula.

Por, një ndër njerëzit e parë që e ka njohur nga afër dhe është prononcuar në shtyp publikisht (“Gazeta Shqiptare”, viti 2000), ka qenë Shaban Doçi, ish-i burgosur politik, i cili pasi ka folur për historinë e jetës së tij, është ndalur dhe ka dëshmuar edhe për njohjen me Musine Kokalarin në Rrëshen. Për vitin e fundit të saj, Doçi ka thënë:

“E kujtoj shumë mirë se kur u sëmur ajo, i thashë unë: Të të çoj në Tiranë? ‘Jo, më tha, se shkoj vetë’. Bëhet fjalë për vitin 1982 -83. Musineja jetonte ngjitur me kunatën time, i kishin vënë një invalid në paradhomë, që ta kontrollonte se kush hynte e dilte. Po askush nuk hynte te ajo, përveç meje. Shkoi u vizitua, doli me kancer në gjoks. Gruan time e kam pasur në vitin e fundit të studimeve për Mjekësi kur u internua, ndaj me ato njohuri që kish, ajo i tha të mos e operonte, se sidoqoftë do t’i shtohej prapë plaga. ‘Shtyje sa ta shtysh’, i tha ime shoqe. Por, ajo s’kishte besim te këto punë e shkoi e u operua….

I shkova na spital bashkë me kunatën; më puthi në dy faqet e nisi të qajë. I thashë a të vij të të marr. ‘Jo, më tha, se vij vetë’. Kur erdhi në shtëpi, më thirri e më tha: ‘Kam një fjalë me ty. Do më japësh fjalën e burrave që do më varrosësh’, më tha. I thashë se nuk dihet kujt i bie të varroste shoq-shoqin. ‘Nëse ti vdes para, do të të varros si motrën time’, i thashë. ‘E bëjmë me dorëshkrim’, më tha, dhe unë i’u përgjigja: po. Shkuam te tavolina për të bërë testamentin. ‘Këto dorëshkrime do t’i le këtu te ty’, më tha. I thashë merri e mbaji vetë, pse të ma lësh mua këtë punë?! ‘Do më premtosh’, më tha: ‘Do vish çdo pasdite deri në orën 9:00 të darkës te unë’? I thashë: s’ta jap dot fjalën, se punoj 11:00 orë në ditë. Megjithatë, shkoja. Por, si rregull, që kur më lindi fëmija, çdo verë e çoja në plazh në Shëngjin bashkë me gruan dhe i lija disa kohë atje…

Ishte gusht i vitit ’83. I thashë: Musine, nesër do shkoj të marr vajzën dhe gruan në Shëngjin’. Më tha: ‘Mos shko dhe nesër’. Do shkoj se pasnesër duhet të paraqitet në punë gruaja. ‘Ti ke Myzejenin këtu’, i thashë unë, për kunatën time. Ajo ma ktheu: ‘Ishalla kur të vish, të më gjesh gjallë…’?! Sa shkova unë, kunatës, Myzejenit i kishte ardhur një telegram nga Elbasani, për t’u nisur atje, se ishte aksidentuar djali i xhaxhait. Musineja vdiq në orën 9:00 të darkës, ndërsa unë isha në Lezhë. Kthehem në mëngjes, për të kapur autobusët që shkonin në Rrëshen. Më thanë ka vdekur Musineja…

Shkova të shtëpia ime fillimisht dhe pastaj u ktheva të shtëpia e saj, por dera ishte me çelës; kishin marrë ato dorëshkrimet ça kishte atje, e kishin mbyllur derën me çelës me urdhër nga kryetari i Këshillit të Lagjes. Shkova i thashë një Agim Harunit, se kush e kishte çelësin. Filani më tha. I shkova atje, më thanë që nuk ma jepnin dot. U thashë atyre që i kisha premtuar se do ta varrosja, e kisha marrë me shkrim atë. U thashë që përgjigjesha për të gjitha, vetëm për të marrë çelësin…

E mora çelësin, shkova te shtëpia e Musinesë, e nxorëm, e lamë, shkuam të Komunalja dhe donim ta varrosnim ngjitur me nënën e gruas. Por, problemi ishte se asnjë nga Komunalja nuk pranonte të hapte varrin për Musine Kokalarin, as makina nuk vinte madje…

Mora një rom për të më ndihmuar për të mbajtur xhenazen. Takova dhëndrin e Beqir Ballukut, Gjergji Gjergon, profesor fizkulture, i internuar edhe ai, dhe bashkë me një kosovar që e quanin Ymer, hapëm varrin…

Kufomën e transportuam me makinën e zhavorrit nga ato vetëshkarkueset. Gjithë lagjja është ngritur e na ka parë me një urrejtje të jashtëzakonshme?! E pse, sepse po varrosnim një të vdekur?! Për më tepër, se mua asgjë nuk më lidhte me Musine Kokalarin, as politika, as ana ekonomike e shoqërore, vetëm se jetonim aty. Vetëm unë me gruan, kunatën dhe fëmijën tonë, bashkë me Gjergjin e kosovarin, e kemi varrosur atë dhe kemi ngrënë drekën te varri i saj…

Musineja, pak para se të vdiste, i kishte thënë kunatës time, Myzejenit, që ajo që të merrte në telefon Platon Kokalarin, djalin e xhaxhait të saj…

Ai erdhi pas 2-3 ditësh, i dhamë gjithë materialet e Musine Kokalarit, me shkrimin tim. Fotografitë, dokumentet e pensionit, letërnjoftimin, librat e kohës së Enverit, edhe të nënvijëzuara, i kam të gjitha unë sot. E vërteta kjo ka qenë dhe të gjitha ato që thonë, jo i ka pasur duart të lidhura me tela, etj., janë të gjitha sajesa”. /Memorie /KultPlus.com

Të ngjajshme