3 Maj, 2018 - 6:15 pm
3 maji, Dita Botërore të Lirisë së Shtypit u manifestua në mënyrë të ndryshme në Kosovë.
Pikërisht në këtë ditë, Ambasada e ShBA-së në Prishtinë, i ka dhuruar Departamentit të Gazetarisë në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” një donacion prej 560 librash të fushës së medieve.
Richard Mei nga Ambasada Amerikane ka vizituar sot Institutin e Medias në Fakultetin Filologjik, ku është pritur nga profesoresha Remzie Shahini- Hoxhaj dhe ligjërues e studentë të këtij departamenti. Mei, gjatë kësaj vizite, është njoftuar edhe me punën e studentëve të Departamentit të Gazetarisë, kryesisht me punimet e tyre në lëndën Marrëdhënie me Publikun dhe Etikë e Medias.
Richard Mei u shpreh se në emër të Ambasadës Amerikane ndihet i gëzuar që sot ishte në mesin e ligjëruesve e studentëve të Departamentit të Gazetarisë, veçanërisht për t’iu dhuruar këta doracakë të gazetarisë Universitetit të Prishtinës.
“Liria e shprehjes është esenciale për demokracinë e një vendi andaj dëshiroj ta përgëzoj Departamentin e Gazetarisë dhe Universitetin e Prishtinës që e marrin shumë seriozisht këtë punë dhe dëshiroj që të vazhdoni në mënyrë të tillë pasi që kjo është shumë e rëndësishme për vendin”, është shprehur Mei gjatë kësaj ceremonie, i cili shtoi se shpreson se këto libra do të shërbejnë në edukimin e shumë gjeneratave të reja.
Profesoresha Remzie Shahini- Hoxhaj gjatë ceremonisë u shpreh se ky donacion pre prej 560 librash në sferën e gazetarisë është shumë i rëndësishëm për edukimin dhe arsimimin të gazetarëve të rinj dhe të hapjes së dijes në këtë sferë. Shahini- Hoxhaj për KultPlus u shpreh se dhurimi i këtyre librave për Departamentin e Gazetarisë plotëson një zbrazëti të madhe për literaturën në sferën e medias, sidomos për studentët e gazetarisë dhe studiuesit e medias në përgjithësi.