13 Nëntor, 2021 - 11:00 pm
Artistja e njohur shqiptare, Vlora Nikçi, ka bërë të premten promovimin e librit të saj “Kangë Popullore Erotike” në librarinë “Dukagjini” në kryeqytet.
Mes shumë të ftuarish, Nikçin e nderuan me pjesëmarrjen e tyre edhe figura të rëndësishme të diplomacisë kosovare.
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, ishte gjithashtu pjesë e mbrëmjes, ku vazhdoi promovimi i librit të parë erotik shqiptar.
E ky libër mesa duket është gati që edhe të përkthehet në anglisht nga ambasadori Abbott dhe këtë e ka bërë të ditur vet autorja e librit.
Vlora përmes disa fotografive të publikuara në rrjetin social Facebook, ka shkruar se “Kangë Popullore Eoritke” do të vijë tashmë edhe në anglisht.
“Nder i veçantë është për mua dhe librin, që përkthimin e tij në gjuhën angleze do ta bëjë Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar Nicholas Abbott. Përmes këtij përkthimi, do t’i japim rast botës të na njohë më mirë”, ka shkruar ndër të tjera Nikçi në Facebook.
Vëllimi i dytë i “Kangë Popullore Erotike” u promovua të premten, gjashtë muaj pas atij të parit./KultPlus.com