Ambra Hysa boton librin e saj të ri ‘Një dekadë dashurie’

29 Maj, 2024 - 6:20 pm

Shkrimtarja e re Ambra Hysa, ka publikuar librin e saj më të fundit, “Një dekadë dashurie”. 

Ambra Hysa është një autore e njohur dhe e vlerësuar në botën letrare shqiptare, me një bibliografi që përfshin tituj si “Balada e bardhë” (cikël poezish), “Dashuri në kohë Koronavirusi” (roman), “Lady D” (roman) dhe “Luftë dhe trendafila” (novelë). Me romanin e saj të fundit, “Një dekadë dashurie”, ajo sjell një histori shumë të veçantë dhe personale për herë të parë për lexuesit e saj.

“Një dekadë dashurie” rrëfen historinë e dashurisë së gjatë dhe të veçantë mes autores dhe bashkëshortit të saj, një histori që ka filluar që nga fëmijëria. Njohur që në moshë të vogël dhe rritur si shokë të ngushtë, ata përjetuan një dashuri që u formua natyrshëm dhe me kalimin e viteve u bë gjithmonë e më e fortë dhe e qëndrueshme. Ky roman jo vetëm që shpalos detaje intime dhe emocionale të marrëdhënies së tyre, por gjithashtu ofron një reflektim të thellë mbi vlerën e vërtetë të dashurisë, besnikërisë dhe aftësisë për ti përjetuar mes shumë koloritesh, dashuritë romantike.

Ambra Hysa, me stilin e saj emocionues, na bën pjesë të një rrugëtimi të paharrueshëm të dashurisë së saj të përjetshme. “Një dekadë dashurie” është një testament i fuqishëm i asaj se si dashuria mund të rritet dhe kurorëzohet pavarësisht sfidave dhe ndryshimeve që sjell jeta.

Autorja është një zë i veçantë në letërsinë moderne, me një botë të pasur shpirterore dhe pasion të thellë për artin e shkrimit. Me këtë libër të ri, ajo jo vetëm që thellon lidhjen me lexuesit e saj, por gjithashtu u ofron atyre një histori që rezonon me ndjenjat dhe përvojat e shumë njerëzve./KultPlus.com

Të ngjajshme