Ambra Hysa boton librin ‘Lady D’: Jam frymëzuar nga çdo grua që kam njohur

10 Korrik, 2021 - 1:58 pm

Autorja nga Shqipëria, Ambra Hysa këto ditë ka botuar librin e saj më të ri që mban titullin ”Lady D”. Roman ky që i kushtohet vajzave dhe figurës së gruas në përgjithësi, shkruan KultPlus.

Hysa ka theksuar për KultPlus se ky roman ka të bëjë me çdo grua që atë e ka frymëzuar gjatë rrugëtimit të saj jetësie. Ajo poashtu ka pohuar se lexuestt e shkrimeve të saj veçse janë në dijeni që gratë dhe vajzat janë kryefjala e mendimit të autores.

”Më frymëzojnë e do t’i mbështes gjithmonë, me të vetmen mënyrë që unë njoh dhe atë që di të bëj më mirë, shkrimin. Kisha kohë që gërmoja për pak gjurmë frymëzimi, prisja për diçka apo për dikë që të më frymëzonte, aq sa të ulesha dhe të mos i ndahesha për disa javë me radhë makinës së shkrimit. Dhe, kështu ndodhi”, shprehet tutje Hysa.

”Lady D”’është zonja e cila e jeton jetën e saj si një vepër arti, mbi të cilën të drejtat autoriale i përkasin asaj.

”Si vajza, uroj të zgjojë brenda jush dëshirën për të rrezatuar forcë, autencitet, pavarësi, liri dhe njëkohësisht të jepni dashurinë tuaj pa kursim dhe pa kushte, në një histori dashurie të kohëve moderne. Si djem, uroj që të zgjoni brenda jush dëshirën për të dashuruar vajzën që i përket vetëm vetes”, është ky mesazhi që autorja e ndan për lexuesit e librit të saj të fundit. / KultPlus.com

Të ngjajshme