Ambra Hysa publikon ‘Dashuria në kohë Koronavirusi’, një vepër që ndërthur tragjiken, frikën e dashurinë

26 Qershor, 2020 - 3:40 pm

Xhemile Hysenaj

Periudha në të cilën po kalon bota ka rezultuar të jetë mjaft e vështirë për secilin individ, mirëpo ata që shfrytëzuan këtë periudhë për inspirim dhe punë ishin artistët, të cilët me artin e tyre shfaqën herë dhimbje e herë shqetësim për pandeminë që kaploi botën. Kështu, edhe Ambra Hysa, një krijuese e re në botën e letërsisë, publikoi librin e saj të dytë të titulluar ‘Dashuri në kohë Koronavirusi”. Një libër ky që ndërthur tragjiken, frikën dhe dashurinë në një temë të vetme.

Ambra Hysa për KultPlus ka treguar më detajisht rreth librit, duke potencuar se gjithçka rreth realizimi të tij ka lindur natyrshëm dhe se nuk e kishte menduar më parë të trajtonte një temë të tillë, por ishin rrethanat ato që e inspiruan dhe e shtynë atë të ulej në tyrezën e shkrimit, duke i dhënë kështu një formë tjetër në letër gjithë kësaj katrahure e këtij përjetimi.

”Është punuar natë dhe ditë, në mënyrëqë produkti final të vinte shpejt por njëkohësisht të ishte i mirëmenduar dhe i kuruar deri në detajet më të vogla’, shprehet Hysa për KultPlus.

Hysa poashtu tregoi se kjo periudhë për të ka qenë mjaft e ngarkuar emocionalisht edhe pse si natyrë tregoi të jetë mjaft optimiste. ‘Prirem ti shoh situatat me shumë pozitivitet dhe kjo ka ndikuar edhe në mesazhet plot dritë dhe shpresë që jepen nëpërmjet fragmenteve të librit…ka “filiza” shprese që “çelin” në çdo varg’, vazhdon tutje Hysa për KultPlus.

”Dashuri në kohë Koronavirusi“ vjen si libri i parë i kësaj periudhe të trishtë të pandemisë globale, që jo rrallë herë, është cilësuar si “Lufta e Tretë Botërore”.

Tronditës, i dhimbshëm, po aq sa edhe artistik.

“Dashuri ne kohë Koronavirusi” është bazuar dhe frymëzuar në histori të vërtetë.

Në këtë dramë me përmasa tragjike, autorja shfaqet si ‘‘dëshmitare okulare’’, vijëzon me lot copëza jete të viktimave të pafajshme, bën homazh dhe nderim të thellë për mjekët ”Gardianët e Jetës”, bëhet “zemra dhe dora e ngrohtë mbi plagë”, dhuron lule për fitimtarët!

U shkrua, në mes të Luftës, dhimbjes, frikës nga e panjohura dhe humnerës shpirtërore e cila la gjurmë dhe ndryshoi përgjithmonë, mënyrën e jetës së njerëzimit.

Duke zbuluar edhe një herë, se Dashuria do të na shërojë dhe se, në të gjitha kohërat, vetëm ajo është përgjigjia.”, thuhet në recensionin e Dëshira Shehut.

Autorja e librit potencoi se në vepër trajtohen ngjarje ku janë të përfshira përjetimet e saj personale dhe rrëfimet e disa personazheve të tjerë të cilët në mënyrë anonime kanë ndarë historitë e tyre të pazakonshme të cilat i kanë përjetuar si pasojë e asaj se çfarë solli me vete Covid19.

Kur së pari lexojmë titullin e veprës së Hysës, nuk ka sesi të mos na kujtohet vepra e njohur botërore e Markezit ‘Dashuri në kohërat e Kolerës’, për të cilin autorja deklaroi se është e ndikuar nga kjo vepër vetëm në emocionin që tenton ta përcjellë, mirëpo kur libri të mbetet pas në kohë, sipas saj do të jetë shumë e lehtë për ta veçuar dhe identifikuar ngjarjen. Dhe se përveç titullit nuk ka diçka të përbashkët në përmbajtje.
”Dashuri në kohë Koronavirusi si Dashuri në kohë Kolere, sepse dashuria është ilaç dhe shërim në çdo kohë’, shprehet Hysa.

”Letërsia është pasioni im i hershëm, nuk mbaj mend që kur kam nisur të shkruaj, por duhet të kem qenë shumë e vogël. Shpirti më mbushet plot kur ulem në tryezën e shkrimit. Më pëlqen ti zhvilloj pasionet që kam brenda vetes dhe besoj e shpresoj fort, që “Dashuri ne kohë Koronavirusi” do të pasohet edhe me botime të tjera’, tregon Hysa për KultPlus.

”Forcë dhe kurajo për të ecur përpara, jeta nuk ndalon, veç vrapon…edhe kur ne gjunjëzohemi, nuk mund të na presë sa të shërojmë plagët, është në ligjet e padiskutueshme të saj. Gjithçka që kemi është “ky moment”. Ky moment, është jeta jonë. Nuk ka të nesërme. Gjithçka që kemi është sot, prandaj duhet të duhemi, me atë lloj dashurie që të nesërmen nuk e njeh si premtim.’, përfundon Hysa. / KultPlus.com

Të ngjajshme