13 Nëntor, 2017 - 6:00 pm
“Ameba” nga Rigel Rizaj, është një përmbledhje me katërmbëdhjetë tregime në të cilët autori sajë narracionesh ku përzihen forma të ndryshme shkrimi si eseistika apo edhe drama, krijon një lojë polifonike personazhesh dhe peizazhesh që rrëfejnë historitë e tyre të cilat u përkasin në ndërgjegjeje universale.
Tregimi “Ameba” rrëfen se si nocioni ndjesor i malli arrin të mbërthejë dhe të shpjerë në mpirje personazhin, dhe fuqia e mallit është aq e tillë saqë të krijojë një pavarësi të jashtëzakonshme e gjer të arrijë të shndërrohet në një gjallesë njëqelizore, arkaike dhe që në thelb mbart gjenezën e jetës së qenieve frymore. Po kështu “Milingona” është një tregim i shkurtër piktoresk dhe grotesk ku personazhe mitike si Sizifi apo Atllasi janë përmbledhur në pamjen e një krijese kaq të imët, e cila simbolizon jetën dhe vullnetin për ta jetuar i patrazuar.
“Boshivarri”, ku ndërthuren tema mbi varret e gjasmuara gjatë sistemeve totalitare dhe historia intime e një Moxarti i parë me një sy tjetër; “Dinarzadja”, motra e harruar e Sheherezades dhe pse ajo duhet konsideruar si hallka mnemotike e 1001 Netëve. Një piktor që vizaton një nudo brenda një dhome të errët dhe vendos në lojë xixëllonjat përreth trupit të pozueses së tij, një. Se si luftohet me barkun e balenës për të shkarravitur brenda tij një hënë, se si përshkruhet vdekja e një Labirinti, se si dashuria është një fuqi estetike dhe dramatike, “Ameba” është një ftesë se si duhet shijuar letërsia dhe se si duhet të ngrihen paktet estetike dhe stilistike. /KultPlus.com