Amerikanët më shumë shkojnë në bibliotekë se në kinema dhe ngjarje sportive

31 Janar, 2020 - 10:57 pm

Vitin e kaluar, amerikanët më shumë i kanë vizituar bibliotekat sesa që kanë shkuar në kinema, ngjarje sportive, muze, koncerte, parqe argëtimi, kazino, etj.

Amerikanët e moshës madhore në vizin 2019 mesatarisht kanë shkuar 10.5 herë në biblioteka, që është dyfishi i shkuarjeve në kinema. Në koncerte, teatër dhe në parqe kombëtare e historike mesatarisht kanë shkuar nga 4 herë, ndërsa në muze dhe kazino nga 2.5 herë. Vizitat në parqe të argëtimit dhe në kopshte zoologjike ishin aktivitete më pak të përmendura.

Rezultatet kanë dalë nga një hulumtim i opinionit publik që është realizuar nga Gallup në periudhën 2-15 dhjetor 2019, me mostër prej 1.025 respondentëve, njofton Klan Kosova.

“Përkundër popullarizimit të aktiviteteve të bazuara në digjitalizim – përfshirë librat elektronikë, podcast-ët, shërbimet argëtuese përmes internetit dhe avancimin e lojërave virtuale – biblioteka ka mbetur vendi të cilin amerikanët e vizitojnë përafërsisht një herë në muaj”, thuhet në hulumtim.

Kategoria moshore e cila më së shumti i viziton bibliotekat është 18 – 29 vjeçare, që mund të jetë e kuptushme pasi përbëhet edhe nga studentët.

Gratë i vizitojnë bibliotekat dyfish më shpesh se burrat, ndërsa lexuesit me të ardhura të ulëta ishin më të shumtë se ata me të ardhura të larta.

Amerikanët mendojnë që bibliotekat janë vendi më i duhur për t’i rritur dhe zhvilluar potencialet edukativo-arsimore dhe për ta nxitur kreativitetin.

Në vitin 2018, në Amerikë janë shitur 675 milionë libra./klankosova/ KultPlus.com

Të ngjajshme