28 Tetor, 2020 - 9:43 am
Suada Qorraj
Në sallën ku dritat kishin kohë që ishin fikur, të pranishmit dalë nga dalë filluan t’i zinin vendet. Përballë vetes kishin dy karrige dhe ekranin e madh që shfaqte të dhëna për arsyen se pse mbrëmë Kino Armata kishte hapur dyert në kohë pandemie. Kompozitorët e vepra e të cilëve u bë më e zëshme në vitet dy mijë e tutje, ishte përmbledhur në botimin “Antologji e kompozitorëve Kosovarë (Kompozitorët e rinj 2000-2020), shkruan KultPlus.
Në prezantimin që i bëri botimit, Liburn Jupolli tha se e kishin parë të arsyeshme që të bënin hapat e parë në dokumentimin e trashëgimisë muzikore të vendit tonë. Sipas tij dekadat e fundit në Kosovë janë ndër dekadat më produktive në historinë e muzikës kosovare.
“Ne si shtëpi botuese dhe Qendra e Dokumentimit muzikor, e kemi marrë përsipër të bëjmë hapat e parë në dokumentimin e trashëgimisë tonë muzikore duke filluar prej kompozitorëve të rinjë. Në Kosovë dy dekadat e fundit, 2000-2020 janë ndër dekadat më produktive në historinë e muzikës kosovare me një zhvillim në drejtime të shumta si në infrastrukturë, prodhimtari vendore, artistike dhe eksport ndërkombëtar të kompozitorëve po ashtu edhe në zhvillim të strukturave arsimore të një varieteti të paparë më herët”, pohoi Jupolli.
Tutje ai ka folur për zhvillimin e muzikës ndër vite në Kosovë duke vënë theksin në shkollat dhe universitetet e muzikës që ekzistojnë në vendin tonë. Gjithashtu ai ka përmendur edhe disa nga festivalet vendore e ndërkombëtare që sipas tij vërtetojnë integritetin e gjeneratave të reja të kompozitorëve.
Ndërkaq historiania Rreze Kryeziu tha se ndonëse botimi i kësaj antologjie është i vonshëm, suksesi i saj është i jashtëzakonshëm për komunitetin artistik dhe për shoqërinë.
“Një sukses i jashtëzakonshëm dhe jo vetëm për komunitetin artistik por për gjithë shoqërinë kosovare. Gjëra të cilat vijnë pakëz vonë por fundja ato vijnë dhe ne e gjeneratat pas nesh do të mund të shërbehemi me botime të tilla”, deklaroi Kryeziu.
Ajo ka shtuar se duke qenë se viteve të fundit misioni i saj ka pasur dokumentimin e muzikës profesionale në Kosovë, çdo ngjarje, përfshirë edhe këtë libër që shpalosë trashëgiminë e denjë të një rruge të krijimit ajo do e mbështes.
“Unë si ligjëruese, muzikologe dhe ligjëruese e historisë së muzikës, për mision kryesor këto dhjetë vitet e fundit kam pas dokumentimin edhe hulumtimin e tërë asaj që është e lidhur në mënyrë direkte me muzikën profesionale në Kosovë. Kështu që çdo ngjarje e cila në një mënyrë është e lidhur me muzikën profesionale unë jam shumë e hapur dhe i mbështes, në këtë rast edhe këtë botim i cili përshinë një trashëgimi të denjë e cila ka filluar të rrugën e krijimit jo të lehtë për të gjithë pararendësit e muzikës artistike në vend”, ka theksuar historiania.
Dy dekadat e fundit shënojnë dekadat më të suksesshme të kompozimit të muzikës klasike në historinë e Kosovës. Përkundër çmimeve dhe performancave të veprave të kompozitorëve klasikë kosovarë në nivel botëror, puna e tyre mbetet e pa dokumentuar dhe jo e njohur për publikun e gjerë. Për këtë arsye përmbledhja e veprave muzikore në botimin ‘Antologji e kompozitorëve Kosovarë (Kompozitorët e rinj 2000-2020)’, synon që të kontribuoj në integritetin profesional të pothuajse 32 kompozitorëve të rinjë që janë pjesë e këtij botimi./ KultPlus.com