Andre Zhid, motor i literaturës së kohës së vet

9 Shkurt, 2024 - 4:30 pm

Andre Zhid (André Gide), Romancier nobelist Andre Zhid u lind më1869 në Paris, në një familje që i përkiste shoqërisë së lartë. I ati i vdiq kur ishte njëmbëdhjetë vjeç, dhimbja e humbjes së të cilit e shtyu të gjejë strehë tek letërsia: pikërisht në atë periudhë zë fill edhe “Ditari” i tij, redaktimin e të cilit do ta vazhdojë gjatë gjithë kohës. Frekuentoi rrethet letrare parisianë, ku u takua me Pol Valerinë dhe pati një admirim të veçantë për Stefan Malarmenë.

Pas një udhëtimi në Afrikën e Veriut (1893-1895), Zhidi publikoi veprën e tij “Ushqimet tokësore” në 1897, mandej “Imoralistin” në 1902 etj. Romanin “Falsifikatorët” e botoi në vitin 1926, personazhi i të cilit, Eduardi, është një romancier që mendon se si duhet të jetë romani modern, shqetësim i cili përkon edhe me atë të vetë autorit Zhid. Pavarësisht çmimit Nobel për Letërsi në vitin 1947, veprat e Andre Zhidit u futën në Indeksin e ndaluar nga Kisha. Që atëherë, autori i “Imoralistit”, “Bodrumet e Vatikanit” apo “Falsifikatorët” humbi një pjesë të prestigjit të vet. Ai është portreti i autorit që gjykohet shpejt, megjithatë në vetvete mbart më shumë kompleksitet se sa duket.

Andre Zhid shfaqi njëherazi dëshirën për t’u përfshirë në problemet e eopkës së tij (kundër kolonializmit, për pacifizmin dhe komunizmin), duke treguar mosbesim ndaj çdo forme angazhimi. Entuziazmi i tij për komunizmin shuhet dhimbshëm pas një udhëtimi në BRSS, gjë që e bëri atë të denonconte stalinizmin. Edhe pse në stilin e tij është klasik, Andre Zhid kundërshton çdo konformizëm me idetë. Personaliteti i tij është kompleks, i ndjeshëm dhe puritan, i torturuar nga dyshimi dhe shqetësimi. Ai refuzon të gjitha detyrimet familjare, shoqërore dhe fetare për të jetuar më mirë momentin dhe për t’u rilindur çdo ditë. Imazhi i Andre Zhid mbetet i vagullt. Megjithatë, për disa gjenerata autori është konisderuar si mishërimi i shpirtit çlirues. Zhid i beson veçanërisht “Ditarit” të tij: “Funksioni i bukur për të siguruar atë të të përulurit”.

Zhid, ekzistenca dhe puna e të cilit zgjati gati dy shekuj, ishte një aktor po aq sa edhe motor i literaturës së kohës së vet. Si i tillë, mbetet padyshim një “klasik”, një autor me një hijeshi vazhdimisht të rinovuar, misteri i të cilit transmetohet me një stil të përsosur. Klasicizmi i Andre Zhidit është paksa si Perëndia e Paskalit, një çështje ku qendra do të ishte kudo dhe perimetri askund. Studimet e Zhidit njohin rëndësinë, por nuk e trajtojnë ballazi dhe rrallëherë nga një këndvështrim anësor. Dialogu në veprën e Andre Zhidit është i pafund, pasi bashkohet me hulumtimin për veten, përpunimin e punës dhe shqetësimin për ndikim. I brendshëm dhe i jashtëm, debati vendoset nga ndërhyrjet që formojnë strukturën.

Qëndrimi i përjetshëm i Zhidit në individin e vetëdijshëm dhe të sinqertë, si gur themeli i moralit kolektiv dhe individual, u plotësua nga pikëpamjet tolerante dhe këndvështrimet specifike në çështjet letrare, shoqërore dhe politike gjatë gjithë karrierës së tij. Pjesën më të madhe të jetës u konsiderua si një figurë e diskutueshme, si revolucionar për mbështetjen haptazi të pretendimeve të lirisë së veprimit të individit në kundërshtim me moralin konvencional. Para se të vdiste, u njoh gjerësisht si një humanist dhe moralist i rëndësishëm në traditën e madhe franceze të shekullit të 17-të. Integriteti dhe fisnikëria e mendimit, por edhe pastërtia dhe harmonia e stilit që karakterizojnë tregimet, vargjet dhe veprat e tij autobiografike, i siguruan vendin midis mjeshtrave të letërsisë franceze. Vdiq në vitin 1951. Shkroi një sërë veprash të përkthyera në gjithë gjuhët e botës, si: “Ditari Intim”, “Izabela”, “Ushqimet tokësore”, “Rrëfimi i një vajze”, “Simfonia pastorale” etj./Hejza / KultPlus.com

Të ngjajshme