Andrin Aliu promovon romanin “Shitësi”, përgëzohet për mjeshtërinë e gjuhës letrare dhe konsiderohet si investim për kulturën letrare

19 Mars, 2024 - 10:58 am

Vjollca Duraku

Të hënën mbrëma, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, është promovuar libri i autorit të ri Andrin Aliu, me titull “Shitësi”.

I ri për nga mosha, me profesion nga sektori i Ekonomisë, dhe pasionant i letërsisë është autori Aliu, që si risi para publikut shqiptar solli një libër psikologjik voluminoz, me 500 faqe, i cili u shkrua përgjatë tri viteve të fundit.

Një histori e një djaloshi gjimnazist, jeta e të cilit ndryshon rrënjësisht kur ai fillon punën si mirëmbajtës i një pallati, vend ky në të cilin rastis që punëdhënësi të jetë miku i ngushtë i babait të tij gjatë viteve të rinisë, si dhe rikthimi i së kaluarës në një kohë krejt tjetër janë disa elemente të cilat ndër të tjera e karakterizojnë librin “Shitësi”, i cili është produkt origjinal i imagjinatës së krijuesit të ri, që pa ndërprerë dhe në ‘fshehtësi’ pas tri vitesh punë arriti të shndërroj në libër në kopje fizike.

Mbrëmja promovuese e librit u hap nga drejtoresha e mediumit KultPlus, Ardianë Pajaziti, e cila përveç fjalëve përshëndetëse tha se ndihej e mahnitur nga guximi i autorit Aliu, i cili në një moshë shumë të re kishte arritur të konkretizonte një libër të tillë aq voluminoz.

“Zakonisht njerëzit udhëtimin krijues e nisin duke shkruar poezi, prozë ose tregim të shkurtë, kurse guximi  i autorit Andrin Aliu për tu prezantuar me një libër kaq voluminoz është shumë sfidues për moshën e tij. Ne me padurim presim të lexojmë librin dhe të shohim çfarë ka sjellur autori i ri”, ka thënë drejtoresha Pajaziti.

Më tej mbrëmja u zhvillua si një bashkëbisedim mes autorit Andrin Aliu dhe drejtoreshës Pajaziti për të shpalosur punën e konkretizuar.

Autori Aliu tha se vetëm një pasion i madh për letërsinë dhe pastaj rrjedhimisht edhe për shkrimin, kishte qenë shkaku që solli deri te botimi i këtij libri, edhe përkundër faktit se studimet e tij kishin të bënin me një sektor krejtësisht tjetër, siç është ai i ekonomisë.

“Gjatë studimeve jam marr kryesisht me literaturë studimore, jam fokusuar kryesisht në fushën e ekonomisë, por letërsia më ka tërhequr edhe para studimeve. Me fillimin e studimeve, pata një lloj pauzë në letërsi sepse nuk gjeja kohën e duhur për t’u marrë me të. Por, pas studimeve u riktheva përsëri te letërsia me lexim fillimisht dhe disa muaj më vonë fillova  ta shkruaj edhe librin tim të parë “Shitësin”, i cili mori një periudhë kohore prej tre vitesh derisa përfundoi i tëri si proces”, është shprehur Aliu.

Pjesa më interesante e krijimit të këtij botimi ishte se autori iu kishte bërë befasi për ditëlindjen e 28-të edhe anëtarëve të ngushtë të familjes së tij, pasi gjatë tre viteve sa ka zgjatur procesi i shkrimit ata nuk kanë qenë në dijeni që ai ishte duke shkruar libër.

“Anëtarët e familjes dhe rrethi im i ngushtë nuk e dinte që unë isha në proces të shkrimit të një libri deri në ditën kur u botua libri, dhe deri kur ata i panë kopjet e para të tij. Ata ishin në dijeni që gjatë mbrëmjeve unë lexoja dhe shkruaja në letra të ndryshme nëpër dhomë, por jo që jam duke shkruar libër. Mendoj që duke shkruar në fshehtësi ikën nga ‘pressioni’ i familjes dhe pyetjeve se me çfarë po merresh, çfarë po shkruan. Pra pa qenë i ekspozuar ndaj rrethanave dhe shpërqendrimeve të jashtme. Më nevojitej qetësi në atë periudhë për të shkruar më lirshëm dhe për të nxjerrë diçka që mund ta shprehja përmes imagjinatës sime”, ka thënë autori duke treguar që nga familjarët e tij ai kishte marrë komente shumë pozitive, pas kësaj befasie nga ana e tij.

Autori më tej gjithashtu tregoi edhe për përmbajtjen e librit, përmbajtje e cila qysh me përshkrim jo të detajuar të ngacmonte për të kuptuar historinë në tërësi të romanit, i cili kishte ardhur nga skutat e imagjinatës së krijuesit të ri.

“Personazhi kryesor është një djalosh gjimnazist. Ngjarja zhvillohet në verën e vitit 2012 në Prishtinë, jeta e personazhit kryesor ndryshon rrënjësisht kur fillon një punë si mirëmbajtës pallati, ku punëdhënësi i tij qëllon që të jetë miku më i ngushtë i babait të tij gjatë viteve të rinisë, ku në periudhën e vitit 99’ kanë qenë të shpërngulur. Pastaj historia ndërlidhet këtu sepse punëdhënësi nuk i tregon djaloshit gjimnazist se dikur kanë qenë mik me babain e tij për shkak të tronditjeve shpirtërore që kishte pësuar në të kaluarën sikur i kishte vënë kufi për të mos shikuar nga e shkuara. Por, ja që e shkuara i kthehet në një formë që ai nuk e pret. Pra ajo i kthehet përmes të birit të shokut të tij më të ngushtë. Kështu historia ndërlidhet edhe me personazhe të tjera ku fatet e tyre kanë qenë të ndërlidhura në një formë qysh nga vitet e 80-ta kur ishin demonstratat studentore”, ka treguar autori.

Ai më tutje shpjegoi se shkrimtarët si Ismail Kadare, Fjodor Dostojevski  dhe Leon Tolstoi e kishin frymëzuar për ndërtim të stilit të shkrimit, ndërsa rrëfimet për periudha të ndryshme historike të dëgjuara nga të tjerët i kishte vendosur për të shtrirë rrjedhën e ngjarjes.

“Kryesisht nga rrëfimet e njerëzve jam përpjekur që të ndërtoj historinë e cila është paraqitur në librin “Shitësi”. Mund të kem marrë diçka nga karaktere të ndryshme të njerëzve për të ndërtuar një karakter të tillë, por mendoj që karakteri i punëdhënësit është vërtetë i veçantë që me gjithë tiparet e veta, që vështirë se mund t’i gjesh te ndonjë karakter tjetër jashtë asaj që është e bazuar në libër”, ka thënë krijuesi Aliu.

Ndërsa shkrimtari dhe profesori universitar, Sali Bashota e mirëpriti një krijimtari të tillë , ku ndër të tjera tha se përshtypje i kishte bërë gjuha letrare të cilën autori Aliu e kishte përdorur, pasi gjuha është element kyç që përcakton stilin e shkrimit.

Profesori Bashota po ashtu e uroi për këtë sukses të parë të tij duke e cilësuar si punë mjaft të madhe fillimin e karrierës si shkrimtar me një roman, duke thënë që një produkt të tillë e ka sjellë vetëm një punë odiseadë dhe udhëtim jashtëzakonisht i gjatë.

“Mua më duket shumë interesant përkushtimi i autorit i cili studion shkencat ekonomike dhe ti kthehet letërsisë, e shoh që flet shumë bukur, e flet gjuhën letrare shumë bukur në artikulimin e mendimeve dhe koncepteve të tij. Një roman kaq voluminoz i shkuar nga një autor i ri, sepse zakonisht fillojnë me novela, dhe vështirë është ndonjë krijues i ri të filloj me një roman voluminoz prej 500 faqesh. Të përgëzoj për punën që e ke bërë. Vërtetë është me interes që ne që jemi mesatar në moshë, ata që kanë emër në letërsie shqipe kur të rinjtë marrin guxim, motivohen që të shkruajnë vepra të tilla, sidomos prozë që është më e vështirë, për natyrën e rrëfimit, tipizimin e personazheve, sistematizimin e lëndëve që lidhen shumë me kujtesën, imagjinatën disa filtra që padyshim që autori që e shkruan romanin duhet të ketë një përvojë krijuese mjaftë të gjatë. Unë të përgëzoj për këtë guxim dhe shpresoj që romani do të ketë sukses”, ka thënë profesori Bashota.

Shkrimtari Bashota po ashtu e ka përgëzuar për gjuhën letrare të përdorur në këtë vepër, duke e konsideruar si investim në të ardhmen e popullit, kulturës dhe në të ardhmen e brezave që vijnë.

“Kanë filluar jo vetëm gjuhë angleze por edhe gjuhë të tjera sllavizma, turqizma, greqizma, arabizma dhe shumë gjuhë të tjera të cilat janë duke e dëmtuar gjuhën dhe kulturën shqipe. Institucionet tona fatkeqësisht janë të shurdhra në këtë drejtim. Është shumë me interes që të mbrojmë gjuhën shqipe sepse dy nga të mbërriturat më të mëdha për kombin shqiptar për shek. XX është standardizimi i gjuhës letrare shqipe dhe krijimi i Universitetit të Prishtinës”, ka thënë Bashota duke e inkurajuar shkrimtarin e ri që për libra pasues të konsultohet edhe me shkrimtarë të tjerë, sepse në këtë mënyrë ai mund edhe të përshtas dhe të krijoj stilin e tij personal, duke i marrë për bazë kritikat e profesionistëve, praktikë të cilën e zbaton edhe vetë.

Ndërsa Rexhep Krasniqi, botimin e librit e quajti sensacion në kuptimin pozitiv, kurse autorin një talent të jashtëzakonshëm.

“Ju ftoj që të vazhdoni me imagjinatën tuaj të talentuar për të krijuar edhe libra të tjerë. Për mua është një sensacion në kuptimin pozitiv, ngaqë në këtë moshë të re të krijohet gjithë ky libër, shihet kapaciteti juaj. Jeni një talent i cili ende pjesën më të madhe e ka të pashpërthyer. Edhe për libra të tjerë mendoj që ka nevojë shoqëria sigurisht”, ka thënë Krasniqi.

Promovimi i librit “Shitësi” i autorit të ri ambicioz Andrin Aliu pritet të bëhet edhe në qytete të tjera të Kosovës si dhe jashtë vendit./ KultPlus.com

Të ngjajshme