18 Gusht, 2020 - 5:30 pm
Nga Kiki Rrahmani
(Drejtuar prindërve)
Ju i sollët në këtë jetë si krijesat më të bukura me fytyrë engjulli që ju dhanë epitetin prind, e jeta juaj mori kuptim, ku pavarësisht peripetive që kaluat ju tashmë kishit një ideal për të jetuar – ideal ishte pikërisht ky fëmijë.
Ky fëmijë të cilin shumë herë e keni menduar dhe imagjinuar si do të dukej dhe çfarë ndjesie do të sillte ardhja e tij… Por, a e keni menduar ndonjëherë se kush do të jetë ai/ajo kur të rritet, dhe çfarë trasimi do të ketë rrugëtimi i tij?!
Ju që kishit andrra të cilat kurr nuk i shijuat, që mbetën vetëm si dëshira të cilat me kohë u shuan në pamundësi për ti realizuar e dallgët e jetës i përmbytën duke i fundosur në fund të një pusi; Andrrat të cilat ju mbetën peng, a keni menduar ndonjëherë ti jetësoni tek fëmijët tuaj – ti shkolloni. Që një ditë të vendosin për vetën dhe jetën e tyre që të jenë të dobishëm për ju, për familje dhe shoqëri; që një ditë të jenë shembull dhe frymëzim për të tjerët që do vijnë, të jenë dora dhe krahu i njëri tjetrit kur një ditë të bëhen dikushi.
Dëgojini fëmijët në shkollë- le ta filloj fëmija juaj vallen e diturisë, duke hedhur hapat drejtë së ardhmës ani pse hapat ndonjëhere mund edhe të ngatërrohen, por vetëm duke i hedhur më tej do ta mësojnë lojën e jetës të cilën e udhëheq- “Shkollimi”.
Thonë që: “Gjuha nuk ka eshtra por edhe eshtra bluan”, e ju mos lejoni që t’ju bluajnë eshtrat dhe shpirtin e fëmijëve tuaj nga përultësia, injoranca dhe cinizmi.
Edhe po të arrini në piedestal disa edhe do të ju shikojnë nga poshtë duke ju lakuar trajektoren e do të thonë: “është ai cigani apo ai magjupi”… Po po, pikërisht ai cigani e magjupi, që në fakt mund të jetë rom, egjiptian apo ashkali, që punoj fortë e u shkollua që ta shikosh pikërisht nga këndi të cilin e gëzon tani.
Disa mund edhe të ju gjykojnë e t’ju ngrisin mure për shkak të ngjyrës së lëkurës – ngjyrë e cila na shoqëron sa here perendon dielli, ngjyrë falë së cilës shohim bukurinë e hënës dhe vallën e yjeve atje thellë në lartësi; ngjyrë pa të cilën as mozaiku nuk do ta kishte shkëlqimin e ngjyrave të tij.
Andaj, bëhuni ju udhërrëfyesit e fëmijëve tuaj që të jenë ata kreatorët e andrrave të tyre; rrugëtim në të cilin peri edhe mund të lidhet nyj, e ngatërrohet edhe tegeli. Por, prap nuk ka arsye për tu dorëzuar edhe nëse ia nisin përsëri nga fillimi, sepse gjithmonë ekziston hera e dytë dhe jeta di të na ofrojë mundësi, vetëm duhet ti kërkoni dhe ti gjeni.
Dhe kurrë mos harroni: Ju nuk u dorëzuat edhe atëherë kur ju privuan ekzistencën në kohë lufte e gjenocidi, mos u dorëzoni tani në liri, tregoni botës dhe shoqërisë që ju mësoni dhe punoni fortë, që jeni të denjët dhe ia vleni.
Voice of Roma, Ashkali and Egyptians in Kosovo
Gusht 2020. / KultPlus.com