10 Shkurt, 2025 - 6:59 pm
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit promovoi sot librin për fëmijë “Antoku”, me autor Ralf Spiron.
Aktiviteti i organizuar në QKLL ishte konceptuar si një bisedë mes poeteshës Mimoza Ahmeti dhe autorit, i cili iu përgjigj pyetjeve dhe interesimit për krijimin e tij. Ngjarja në këtë tregim, bazohet në historinë dhe mitologjinë japoneze.
Kultura e Japonisë bazohet shumë në mitologji, që ka në qendër të saj, familjen. Protagonisti i librit, Antoku është përcjellës i diturisë, për të larguar errësirën, jo vetëm simbolikisht. Vepra është trajtuar në formën e përrallës, pasi u drejtohet fëmijëve, të cilëve u nevojitet një gjuhë e thjeshtë për të nxënë dije.
Ralf Spiro sqaroi se ka projekte të tjera, veçanërisht për fëmijë, dhe në pjesën më të madhe të rasteve frymëzohet nga djali i tij. Autori sqaroi, se ka testuar gjuhën e librit, tek i biri për të arritur thithjen e materialit, që gjithnjë është i bazuar te fantazia. Sipas tij, Antoku është përzgjedhur për të qenë personazhi kryesor, pasi është i vetmi perandor-fëmijë që ka ekzistuar realisht në Japoni./atsh/ KultPlus.com